
Reshje shiu sot, temperaturat në rënie të lehtë
Sot vranësirat dominojnë vendin, por që herë-herë mund të shfaqen intervale të shkurtra me diell. Orëve të mëngjesit ultësirave mund të ketë kushte për mjegull apo mjegullinë. Nga mesdita edhe priten të reshura të dobëta lokale shiu, që mund të shoqërohen me bubullimë. Reshje dëbore parashihen vetëm zonave malore.
Do të fryjë erë e lehtë dhe mesatare nga veriu e verilindja 3-5m/s. Temperaturat minimale 3 gradë C e 6 gradë C, e ato maksimale paksa më të ulëta, luhaten ndërmjet 9 gradë C e 13 gradë C.
Reshje lokale shiu parashihen ditën e shtunë, me temperatura ende të larta deri në 12 gradë C e 14 gradë C. Të dielën temperaturat pësojnë një rënie në 6 gradë C, e kohë pas kohe priten reshje të dobëta shiu ose dëbore në pjesë më të larta. Nga dita e hënë vranësirat shpërndahen, e do të ketë më shumë intervale me diell ditën e martë, kur dhe temperaturat maksimale shënojnë rritje deri në 9C e 10C. Minimalet zbresin sërish nën 0 gradë C, deri në -3 gradë C të martën në mëngjes, njofton Mendimi për Motin.