
Katër të burgosura në Lipjan përfundojnë me sukses programin “Menaxhimi i Zemërimit”
Në Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan, katër të burgosura përfunduan të mërkurën me sukses Programin Rehabilitues “Menaxhimi i Zemërimit”.
Siç njofton Shërbimi Korrektues i Kosovës (ShKK), përmes këtij programi, pjesëmarrëset mësojnë ta shohin agresionin si një dobësi dhe kontrollin e zemërimit si një shenjë force.
“Kjo u mundëson atyre të zhvillojnë qasje më të shëndetshme ndaj emocioneve dhe të përgatiten për një riintegrim më të lehtë në shoqëri pas përfundimit të dënimit”, u tha në njoftimin e ShKK-së.
Në ceremoninë e ndarjes së certifikatave morën pjesë drejtori i Qendrës Korrektuese, Ylber Topalli, Udhëheqësja për Programe dhe Regjime, Leunora Sahiti, Udhëheqësja e pavilonit, Remzije Luma, si dhe trajnerja e programit, Fatlinda Mustafa.
Ky program është një nga iniciativat e shumta rehabilituese që synojnë përmirësimin e kushteve psikologjike dhe sociale të personave të privuar nga liria, duke ndihmuar në procesin e riintegrimit të tyre në shoqëri.