
Jashari: S’do ta pranojmë ftesën e Çekut për pjesëmarrje në organizimet e Epopesë së UÇK-së
Xhavit Jashari nga OVL-UÇK ka thënë se nuk do ta pranojnë ftesën e ministrit të Kulturës, Hajrullah Çeku për të marrë pjesë në Këshillin Shtetëror për shënimin e 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
Jashari, ftesën e Çekut e ka quajtur kërkesë të vonuar pasi sipas tij qeveria nuk ka qenë e gatshme për bashkëpunim kur ata ia kanë ofruar.
Ai ka shtuar se Organizatat e Veteranëve të Luftës së UÇK-së do t’i bëjnë ndaras nga Qeveria e Kosovës organizimet për Epopenë e UÇK-së.
“Ne qëndrojmë pranë vendimit që kemi marrë që mos ti bëjmë aktivitetet bashkë me Qeverinë e Kosovës dhe mos t’i përgjigjemi këshillit organizues, mbi të gjitha sepse ne i kemi ofruar bashkëpunim mirëpo qeveria nuk ka qenë e gatshme dhe edhe kjo ftesë që është bërë sot është kërkesë e vonuar. Ne do të bëjmë organizimet ndaras nga kjo qeveri sepse kjo qeveri ka atakuar luftën e UCK-së. kështu që qëndrimet tona janë që ne nuk do të bëjmë asnjë aktivitet bashkarisht derisa nuk reflekton Qeveria e Kosovës dhe nuk respekton luftën e drejtë dhe të pastër të UÇK-së.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, të mërkurën në një konferencë për media ka deklaruar se janë në pritje të konfirmimit për pjesëmarrjen e Organizatave të Veteranëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), në Këshillin Shtetëror për shënimin e 27 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.
“Ne ju kemi dërguar ftesë pasi janë në vendim të anëtarëve të këshillit organizativ të tri organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, ndërsa po presim konfirmimin e tyre. Ne i ftojmë që të jenë pjesë e këtij organizimi pasi aty e kanë vendin. Epopeja e UÇK-së është e të gjithëve dhe sidomos e atyre që kanë qenë pjesë e luftës. Në këtë drejtim nesër mbledhja duhet të tregojë bashkëpunim dhe unitet”, ka thënë Çeku.