
LDK-ja e PDK-ja në Gjilan: Jemi dakorduar me LVV-në, nesër pritet të votohet buxheti i Komunës
Pas dështimit të disa seancave, duket se Komuna e Gjilanit është një hap më afër miratimit të buxhetit për vitin 2025.
Kjo u bë e ditur nga asamblistët e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Partisë Demokratike te Kosovës, të cilët konfirmuan për Ekonominë Online se në një takim të mbajtur sot edhe me anëtaret e LVV-së, partisë në pushtet, janë dakorduar që nesër të votohet buxheti komunal.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së në Komunën e Gjilanit, Avdyl Aliu, ka deklaruar se kryetari i komunës, Alban Hyseni, sipas tij, ka lënë inatet partiake anash dhe ka pranuar që të bashkëpunoj me opozitën për të siguruar kalimin e buxhetit.
“Lajmi i mirë sot nga Gjilani është që zotëri Hyseni, kryetari i komunës e ka lënë inatin anash dhe ju ka bashkëngjitur vullnetit të mirë, së paku sipas përfaqësuesve të VV-së në Komitetin për politika dhe Financa dhe iu ka bashkëngjitur vullnetit të mirë të opozitës që të bëjë nesër Gjilanin me buxhet për vitin 2025. Po them kështu sepse Hyseni ka katër muaj e më tepër, që në tavolinën e tij e ka një përgjigje që në fakt është udhërrëfyes në shume detale të imta për kryetarin e komunës se si shkon procesi i buxhetimit. Nuk e ka ndërmarrë as një hap deri më tani”, ka thënë ai.
Ai ka kritikuar vonesat në këtë proces duke theksuar se kryetari Hyseni kishte qëndruara për më shumë se katër muaj pa ndërmarrë hapa konkretë për finalizim të buxhetit.
“Ne kemi qenë ata që kemi ndërmarr hapa, jemi organizuar konform atij organizimi, konform ligjit për Financa dhe Përgjegjësi edhe konform udhëzuesit. Kemi organizuar një dëgjim publik ditën e djeshme, me një numër të kënaqshëm të qytetarëve, të shoqërisë civile dhe të këshilltareve komunal. Sot i kemi ftuar, gjithnjë në ndjekje të udhërrëfyesit dhe të ligjit, sot e kemi ftuar Komitetin për Politik dhe Financa në të cilin e kemi bërë edhe rekomandimin e buxhetit për seancën e nesërme të cilën seancë e kemi ftuar me nënshkrime të këshilltareve komunal që do të mbahet në ora 10. Shpresojmë që të mos ndërroj diçka në disponim të zotëri Hysenit”, ka thënë ai.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së në Komunën e Gjilanit, Bujar Nevzati, ka konfirmuar se ka pasur pajtime mes opozitës dhe pozitës në këtë komunë për miratim të buxhetit.
“Sa dolëm nga takimi që patëm me kryesin e Kuvendit komunal të Gjilanit, apo siç e quajmë ne Komiteti për Politikë dhe Financa dhe po jap një lajm të mirë që u dakorduam dhe duam ta besojmë që ky kryetar nesër të jetë në takim. Ta prezantoj buxhetin, opozita do të jep propozimet e veta dhe besoj shumë që nesër do ta miratojmë buxhetin e komunës së Gjilanit dhe qytetar më nuk do të jenë të brengosur për buxhet”, ka thënë ai.
Seanca për miratim të buxhetit është planifikuar të mbahet nesër në orën 10:00.