Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi ndaj dy zyrtarëve policorë dhe të tjerëve
Foto: Laura Hasani

Mungon njëri i akuzuar, shtyhet gjykimi ndaj dy zyrtarëve policorë dhe të tjerëve

Aktuale February 26, 2025 - 13:04

Në mungesë të të akuzuarit Kujtim Gjilani, është shtyrë seanca e së martës në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku i njëjti bashkë me Naser Koqinajn, Ihsan Fetahajn dhe Arlinda Krasniqin, akuzohen për korrupsion e vepra tjera penale.

Sipas aktakuzës, Koqinaj akuzohet për veprat penale të “Fajdesë”, “Detyrimit”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Mashtrim”, i akuzuari Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor akuzohet për “Marrje ryshfeti”, i akuzuari Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor akuzohet për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe e akuzuara Krasniqi për “ Mashtrim”.

Kryetarja e trupit gjykues, Raima Elezi deklaroi se i akuzuari Kujtim Gjilani nuk e ka arsyetuar mungesën e tij në seancën e së martës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këto rrethana, seanca e sotme u shty.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 21 dhjetor 2022 nga Prokurorisë Themelore në Prizren, Naser Koqinaj akuzohet për veprat penale të “Fajdesë”, “Detyrimit”, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Mashtrimit”, i akuzuari Ihsan Fetahaj në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale “Marrja e ryshfetit”, i akuzuari Kujtim Gjilani në cilësinë e zyrtarit policor për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe e akuzuara Arlinda Krasniqi për veprën penale “Mashtrimi”.

Sa i përket veprës penale “Fajdeja” nga Neni 331 i KPRK-së, Prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej marsit të vitit 2018 e në vazhdim deri në arrestimin e tij, fillimisht e ndihmon të dëmtuarin Mirsad Badalli që nga ai t’i largojë kanosjet e fajdexhinjve si B.P. dhe e ndihmon të njëjtin për të kontaktuar me zyrtarët policorë të krimeve ekonomike, e pikërisht të pandehurin e dytë Ihsan Fetahu i cili e punon lëndën ku është i dëmtuar Naser Koqinaj, e pasi që të njëjtit fajdexhi procedohen në procedurë penale, kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë eurove, si dhe kërkon që i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare muaj për muaj mjete, me ç’ rast e ka dëmtuar të dëmtuarin në shumë prej 63 mijë e 888 euro e 40 centësh.

Për veprën penale të “Detyrimit” nga Neni 328 i KPRK-së, Prokuroria të akuzuarin Koqinaj e akuzon se prej vitit 2018 e në vazhdim, ka detyruar të dëmtuarin Badalli të veprojë në dëm të pasurisë së tij, duke e kanosur se do ta vrasë, e merrte atë për krahu, e fuste në automjetin e tij dhe e dërgonte në ndonjë nga bankomatet e “Raiffeisen Bank” nga ku e detyronte të dëmtuarin të tërheq para dhe t’ia dorëzojë atij, e që të njëjtit i ka shkaktuar dëm në vlerë prej 83 mijë e 500 eurove.

Tutje, sipas aktakuzës, Koqinaj ngarkohet se më 12 dhe 26 korrik 2019 në Prizren, për të dëmtuarin Mirsad Badalli jep dhuratë të paarsyeshme personit zyrtar – të pandehurit Ihsan Fetahu në mënyrë që ky i pandehur të veprojë në pajtim me detyrën e tij zyrtare lidhur me kallëzimin penal që e ka ngritur në Prokurori, ku Mirsad Badalli ka qenë i dëmtuar, saktësisht i jep dhuratë të pandehurit Ihsan Fetahu dy vetura: “WV Tauran” dhe “WV Golf”, të marra përmes kontratave të Lizingut financiar, të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën prej 20 mijë 109 eurove e 89 centësh.

Për këto veprime, Koqinaj po ngarkohet se ka kryer veprën penale “Dhënia e ryshfetit”, nga Neni 422 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës, Ihsan Fetahaj po akuzohet se nga 12 deri më 26 korrik 2019, në cilësinë e personit zyrtar – hetuesi Njësisë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren, pranon nga i pandehuri Koqinaj dhuratë dy vetura, një veturë e llojit “WV Tauran” dhe veturën “WV Golf”, vetura këto të marra përmes kontratave të Lizingut financiar të cilat i ka nënshkruar i dëmtuari Mirsad Badalli, e që kapin vlerën së bashku me interesin dhe pjesëmarrjen totale shumën 20 mijë 109 euro e 89 centë.

Për këto veprime, Fetahaj po akuzohet se ka kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit” nga Neni 421 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës, Kujtim Gjilani po akuzohet se më 9 gusht 2020 në pikëkalimin kufitar të Vërmicës, në cilësi të personit zyrtar – polic në pikën kufitare të Vërmicës, nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që pas marrëveshjes me të pandehurin Naser Koqinaj, i mundëson drejtuesit të automjetit “Peguet” kalimin e kufirit edhe pse për të njëjtin kishte qenë në dijeni se nuk posedon dokumentacion valid – autorizim për drejtimin e automjetit me targa të shtetit gjerman brenda dhe jashtë shtetit, në mënyrë të njëjtë vepron edhe me datat 17 dhe 30 gusht 2020 dhe 16 tetor 2020, me këtë rast i sjellë drejtuesit të automjetit dobi në formën e qarkullimit me automjet në kundërshtim me Ligjit me nr. 05/L-088 për rregullat e trafikut rrugor dhe Ligjin nr. 05/L-132 për automjetet.

Për këto veprime, Gjilani po akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës ose autoritetit zyrtar”, nga Neni 414 i KPRK-së.

Sipas dispozitivit të katërt të aktakuzës, Arlinda Krasniqi dhe Naser Koqinaj, akuzohen se nga 29 gusht 2020, e deri 9 dhjetor 2020 në Prizren, në bashkëveprim, e mashtrojnë të dëmtuarin Mirsad Badallin, ku fillimisht i pandehuri Koqinaj merret vesh me të pandehurën Krasniqi, që e njëjta të krijojë lidhje dashurie me të dëmtuarin Badallaj dhe më pas e pandehura të kërkojë nga i njëjti t’i japë autorizim të pandehurës Arlinda Krasniqi, kështu e njëjta kur është autorizuar nga i dëmtuari Mirsad Badalli nga xhirollogaria e të njëjtit ka transferuar shumat në lartësi prej 4 mijë e 395 eurove, e të dëmtuarit i kanë shkaktuar dëm material për po të njëjtën vlerë.

Për këto veprime, Koqinaj dhe Krasniqi në bashkëkryerje po akuzohen se kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga Neni 323 të KPRK-së.