
Hyseni: Ftesa për seancë e thirrur nga opozita për të enjten, e paligjshme
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka akuzuar kryesuesin e Kuvendit Komunal të Gjilanit se nuk e ka dërguar ftesën ose thirrjen tek asamblistët për seancë.
Ai ka thënë se ftesa për seancë e thirrur nga opozita për të enjten nuk ka material dhe e njëjta është e paligjshme.
Hyseni tha se kanë dërguar kërkesë për interpretim në MAPL, nëse qëndron konstatimi që e drejta për hartimin dhe propozimin i takon kryetarit të Komunës.
“Ftesën e kemi dërguar dje dhe deri sot kur është mbajtur kjo seancë urgjente, kryesuesi i Kuvendit nuk e ka dërguar ftesën ose thirrjen tek asamblistët. E ka refuzuar atë, e ka refuzuar duke thënë që nuk e fton seancën. Jo në shenjë paralajmërimi ose kërcënimi, por në shenjë mirësie për situatën e krijuar, dua ta paralajmëroj se këto veprime të opozitës së bashkuar të PDK, LDK Lëvizjes Qytetare Vatra edhe Listës Serbe që vazhdimisht e bojkotojnë Kuvendin janë një lloj rrëshqitje drejt elementeve të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. Kryesuesi i Kuvendit që është vegël e LDK-së e PDK-së është duke konsumuar se është duke dhënë elemente që përbëjnë veprën penale të keqpërdorimit të detyrës penale”, tha ai.
Hyseni tha se ftesa për të enjten nuk ka material për rendin e punës, është shkelje ligjore.
“Projektbuxhetin nuk e dërgon kryesuesi as asamblistët, atë e dërgon kryetari i komunës, seanca nuk mund të thirret për një pikë që ekskluziviteti i takon kryetarit, e kemi edhe përgjigjen nga MAPL”, tha Hyseni.
Ai ka theksuar se opozita duhet të dërgojë kërkesat për buxhet për projekte që të futen në propozimin buxhetor.
“Ne jemi shumë të interesuar që komuna e Gjilanit të mos mbetet pa buxhet, do të bëjmë përpjekje të vazhdueshëm që do të bëjmë edhe nesër në seancë urgjente. Edhe sot që kemi bërë thirrje për seancë urgjente në orën 16:00. Ne jemi të gatshëm që kërkesat e opozitës jo t’i harmonizojmë, neve na duhet kërkesa për projekte dhe ne i fusim ne buxhet. Ne i kërkojmë kërkesat opozitës për buxhet për projekte t’i fusim në propozimin tonë. Pasi ta dërgojmë për aprovim le të vijnë ta ndryshojnë prapë”, tha ai. /eo