
Kreu i SPAK-ut: Epoka e paprekshmërisë po lëkundet
Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, në tryezën e drejtësisë të organizuar nga Qendra për Studimin dhe Demokraci, ka deklaruar se SPAK-u ka treguar se është në gjendje të kryejë hetime të guximshme ndaj zyrtarëve të lartë.
“SPAK-u ka treguar se është në gjendje të kryejë hetime të guximshme edhe ndaj zyrtarëve të lartë. Epoka e paprekshmërisë po lëkundet. Kemi goditur edhe organizata kriminale të cilët janë të përfshirë në vepra penale shumë të rënda. Bashkëpunimi me INTERPOL, EUROPOL dhe EUROJUST është shtuar. Lufta ndaj pastrimit të parave kërkon të japë mesazhe të qarta se krimi nuk mund të blejë apo shpërblejë”, tha ai.
Gjithashtu i pranishëm, ambasadori i Bashkimi Evropian, Silvio Gonzato e ka rikonfirmuar edhe njëherë mbështetjen për institucionet e drejtësisë, teksa ndodhet në të njëjtën tryezë me kreun e SPAK-ut, Altin Dumani dhe drejtuesin e GJKKO-s, Erion Bani.
Gonzato e vendosi theksin te rëndësia e besimit në arkitekturën e reformës.
Sipas tij pavarësia dhe llogaridhënia janë elementë të domosdoshëm për një shoqëri demokratike, ndaj BE-ja në vazhdimësi është angazhuar për mbështetje ndaj SPAK-ut.