Dështon për të dytën herë seanca urgjente për buxhetin në Kuvendin e Komunës së Gjilanit

Dështon për të dytën herë seanca urgjente për buxhetin në Kuvendin e Komunës së Gjilanit

Aktuale February 26, 2025 - 11:03

Në mungesë të kuorumit, ka dështuar për të dytën herë gjatë kësaj jave të mbahet seanca urgjente e Kuvendit të Komunës së Gjilanit, e cila ishte ftuar nga kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni, me pikën e vetme të rendit të ditës miratimin e buxhetit për vitin 2025.

Deputeti me i vjetër i Kuvendit Komunal që e udhëhoqi këtë seancë në mungesë të kryesuesit, Ismajl Kurteshi, ka bërë thirrje që buxheti i Komunës të votohet për të mirën e qytetarëve.

Ai i ka bërë thirrje edhe kryetarit të Komunës të harmonizojë buxhetin në konsultim me opozitën dhe i ka bërë thirrje edhe opozitës që të votojë buxhetin.

“Ka mbetur edhe dy ditë mundësi për të votuar buxhetin e Komunës që është shumë i nevojshëm për qytetarët. Leni konferencat për shtyp që e duam Gjilanin. Për shkak të mungesës së kuorumit duhet ta mbyllim mbledhjen. Lini konferencat e hyni punës votoni buxhetin”, ka thënë ai.

Ndërkaq kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, Lutfi Haziri, në një konferencë për media të mbajtur dje ka njoftuar që të enjten, me datë 27 shkurt, LDK-ja do ta votojë buxhetin.

“LDK-ja ka dalë përtej partisë e në interes të Gjilanit, të punëtorëve shëndetësorë e arsimtarëve, duke qenë se pjesëmarrja jonë në grant të qeverisë është 4.2 milionë euro”, ka thënë ai. /eo