Kurti: Presim nga KQZ-ja më shumë angazhim për përfundimin e numërimit të votave
Kryeministri Albin Kurti ka folur edhe sot për zgjedhjet e 9 shkurtit, për çka ka thënë se javën tjetër pritet të përfundojë procesi i numërimit, pasi sot nis numërimi i votave të diasporës.
Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka këshilluar kabinetin e tij që të vazhdojë punën me të njëjtin ritëm, ndërsa, siç ka thënë, si fitues të zgjedhjeve qytetarët presin të formohen shpejt institucionet për legjislaturën e nëntë, transmeton Zeri.info.
“Sot fillon numërimi i votave të diasporës, më së largu deri në javën tjetër pritet të kemi rezultatet përfundimtare. Si fitues të qartë të këtyre zgjedhjeve, qytetarët presin që sa më parë të përmbushim obligimin që na takon për formimin e institucioneve në legjislaturën e 9, deri atëherë nga ju kabinet qeveritar, pres që të vazhdoni punën dhe punët e mira me të njëjtin ritëm, ndërsa të gjithë presim nga KQZ-ja edhe më shumë angazhim për përfundimin e procesit të numërimit dhe kujdes të shtuar në mbrojtjen e vullnetit të votuesve”. tha Kurti në mbledhjen e Qeverisë.
Ai përmendi që pjesëmarrje të lartë në zgjedhje pati edhe diaspora jonë, e cila për herë të parë, përveç votimit me postë, pati mundësi të votojë në ambasadat dhe konsullatat tona. /Zëri