Komandant Hoxha në Hagë: Pyetjeve të mbrojtjes u përgjigjem, Prokurorisë jo

Komandant Hoxha në Hagë: Pyetjeve të mbrojtjes u përgjigjem, Prokurorisë jo

Aktuale February 25, 2025 - 11:07

Ismet Tara, ish-komandant i Zonës së Rahovecit dhe i njohur me nofkën “Komandant Hoxha”, ka vazhduar sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale të Hagës, ku do të përgjigjet për rastin e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Para se të fillonin pyetjet, mbrojtësi i Tarës kërkoi që ai të ketë mundësinë të flasë për 10 minuta dhe të sqarojë disa detaje të mbi dokumentin, ku pretendon se u cilësua tradhtar.

Mirëpo, kërkesa e mbrojtjes për këtë kohë u refuzua dhe procesi vazhdoi me pyetjet e mbrojtjes të ish-krerëve të UÇK-së.

Komandant Hoxha ka thënë se do t’u përgjigjet vetëm avokatëve të ish-krerëve dhe jo Prokurorisë.

Ani pse iu bë me dije se është i detyruar t’i përgjigjet edhe Prokurorisë.

“Po përgjigjem pyetjeve të mbrojtjes, por jo pyetjeve të prokurorisë sime, e cila ka fshehur dokumentin tim”, u shpreh ai.

Pala mbrojtëse e tij ka kërkuar kohë që t’ia sqarojë atij procedurat.

Si rrjedhojë seanca ka shkuar në pauzë.