
Mandati i Zaçajt, vendimi i Kushtetueses mbron skemën e ripërtëritjes së anëtarëve të saj
Kërkesa e presidentit Bajram Begaj për “Deklarimin e mbarimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese”, nuk do të trajtohet si e tillë nga Gjykata, por si një çështje gjyqësore. Këtë e bëri të ditur të hënën, kryetarja Holta Zaçaj sipas së cilës “çështja e sjellë nga presidenti është sjellë si një mosmarrëveshje kushtetuese dhe si e tillë do të trajtohet si një çështje gjyqësore, pra nuk është si rasti i deklarimit të mbarimit të mandatit”. Në këtë mënyrë, hyjnë në lojë procedura të cilat do të kërkojnë muaj kohë deri në marrjen e një vendimi.
Kërkesa e Kreut të Shtetit, e datës 30 janar, u nxit nga vendimi i vetë gjykatës për deklarimin e përfundimit të mandatit të kryetares së saj Zaçaj. Vendimi mori në analizë dhe dispozitat kalimtare të Kushtetutës, duke vënë në dukje se “kushtetutëbërësi në ekuilibrin midis parimit të qëndrueshmërisë në detyrë dhe atij të përtëritjes së Gjykatës, i ka kushtuar vëmendje të veçantë këtij të fundit”. Duke iu referuar këtij momenti, në kërkesën e tij presideti shprehet se “Gjykata Kushtetuese duhet të kishte përfunduar procedurën për deklarimin e mandatit të gjyqtares Bejtja dhe të kishte njoftuar Presidentin e Republikës për vakancën përpara datës 25.1.2025 (pika 3 e nenit 9 të ligjit nr. 8577, datë 10.2.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar”). Kjo gjë jo vetëm nuk ka ndodhur, por edhe nuk ka asnjë njoftim publik nga ana e Gjykatës Kushtetuese në këtë drejtim”.
Paragrafi 19 i vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cituar pjesërisht dhe nga kryetarja Zaçaj, parashikon ndër të tjera se “në çdo rast kur një organ i emërtesës vlerëson se Gjykata nuk e ka ushtruar kompetencën e saj brenda afatit ligjor, ai duhet t`i drejtohet asaj duke i kërkuar me shkrim ushtrimin e kësaj kompetence dhe duke parashtruar argumentet në drejtim të fakteve dhe dispozitave kushtetuese ku mbështet qëndrimin e tij për mbarimin e mandatit të gjyqtarit për pozicionin e të cilit është organ emërtese sipas Kushtetutës dhe ligjit. Në këtë rast, Gjykata, pa vonesë, duhet të shprehet me vendim, i cili është përfundimtar dhe i detyrueshëm për zbatim”.Zonja Zaçaj deklaroi se “duket se mënyra se si ka vepruar Presidenti në rastin konkret është mënyra e duhur, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese…”. Nëse do t’i referohej këtij vendimi, atëherë Gjykata do të duhej të shprehej për mbarimin e mandatit të anëtarit të saj të emëruar nga Kreu i Shtetit, siç dhe në fakt është dhe objekti i kërkesës. Një kërkesë e cila megjithatë, si bazë ligjore, nuk referon vendimin e gjykatës, nga e cila u vu në lëvizje, por mosmarrëveshjen e kompetencës.
Në këtë mënyrë, Gjykata ka zgjedhur kështu dhe rrugën më të gjatë. “Çështja që ka subjekte të interesuara edhe Kuvendin edhe Gjykatën e Lartë, është një çështje më e madhe se sa ajo e deklarimit të mbarimit të mandatit të një gjyqtari”, u shpreh zonja Zaçaj, duke shtuar se “të paktën kështu është sjellë dhe do të marrë kohën e vet të shqyrtimit”. Një kohë që do të kërkojë disa muaj, sepse siç saktësoi kryetarja e Gjykatës “rasti është ende në pritje të shyrtimit paraprak”./VOA