Në Prishtinë përkujtohet trevjetori i luftës në Ukrainë

Në Prishtinë përkujtohet trevjetori i luftës në Ukrainë

Aktuale February 24, 2025 - 20:17

Në Amfiteatrin e Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë, disa nga ambasadat evropiane në Kosovë kanë përkujtuar trevjetorin e fillimit të luftës kundër Ukrainës, raporton Ekonomia Online.

Në këtë ngjarje, ku mori pjesë Ambasada e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe dhe Zyra e BE-së në Kosovë, Presidentja Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e mbështetjes për Ukrainën.

Ajo ka shprehur solidaritetin e Kosovës, e cila ” i ka dhënë Ukrainës gjithçka që ka mundur, qoftë armatim apo mbështetje të palëkundur”.

Presidentja tha se humbja e Ukrainës është edhe humbje për Kosovën, ndërsa mbështetja për Ukrainën është një angazhim për të ardhmen, për një botë më të sigurt, ku askush nuk largohet nga shtëpia për shkak të luftës.

Ajo ka thënë se shpreson që Ukraina të dalë nga kjo luftë shpejt dhe të jetojë në liri.

“Me gjithë vrullin e informatave, është shumë më e lehtë të shfrytëzohet potenciali i shoqërisë sonë. Ajo që është e rëndësishme, është të tregojmë se jemi këtu dhe se do t’ia dalim së bashku. Në fund të ditës, është një bekim të mund ta shndërrojmë këtë sfidë në diçka sa më positive”.

“Në tre vitet e fundit, kemi parë përkushtimin e ushtarëve tanë në mbështetje të ushtarëve të Ukrainës për një të ardhme më të sigurt. I kemi dhënë Ukrainës gjithçka që kemi mundur, qoftë armatim apo mbështetje të palëkundur”.

“Humbja e Ukrainës do të ishte humbje edhe për ne. Qëndrimi në krah të Ukrainës nuk është vetëm një kujtim i së kaluarës, por edhe një formësim i një të ardhmeje ku askush nuk detyrohet të largohet nga shtëpia me fëmijët e tij. Duhet të jemi të përkushtuar ndaj paqes, drejtësisë dhe të sigurohemi që Ukraina të dalë nga kjo luftë”.

“Shteti i Ukrainës meriton të jetojë në paqe dhe liri, për të cilën ka luftuar kaq gjatë,” ka thënë Osmani.

Ambasadori i Francës në Kosovë, Oliver Guérot, përmes mesazhit të tij, ka thënë se agresioni rus mbi Ukrainën nuk rrezikon vetëm atë vend, por gjithë sigurinë evropiane dhe rendin ndërkombëtar

Ai ka nënvizuar se “miqtë tanë kosovarë e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo”.

“Sot, kur shënojmë trevjetorin e fillimit të agresionit rus në Ukrainë, dua të theksoj disa mesazhe. Së pari, lufta për paqen në Ukrainë është një luftë për sigurinë evropiane. Tre vjet më parë, Rusia sulmoi Ukrainën dhe theu të gjitha rregullat. Miqtë tanë kosovarë e dinë shumë mirë se çfarë do të thotë kjo. Lufta në Ukrainë po sulmon civilët”.

Ai ka thënë se jo vetëm siguria e Evropës është në rrezik, por edhe i gjithë rendi ndërkombëtar, sepse “Rusia mund të mos ndalojë aty”./EO