Zyrtare: Nga 1 marsi patentë shoferët e Kosovës, të barabartë me ata të Austrisë
Foto: Laura Hasani

Zyrtare: Nga 1 marsi patentë shoferët e Kosovës, të barabartë me ata të Austrisë

Aktuale February 24, 2025 - 14:29

Nga 1 marsi zyrtarisht patentë shoferët e Kosovës do të njihen edhe në Austri.

Njoftimin e bëri Ambasada e Austrisë.

Në njoftim thuhet se patentë shoferët kosovarë u njohën në Austri më 1 shtator 2023, me miratimin e marrëveshjes për krijimin e Bashkësisë së Transportit në Nenin 23 të Ligjit për Patentë Shoferët (FSG).

“Bazuar në këtë, mbajtësit e patentë shoferëve kosovarë kanë të drejtën të drejtojnë automjetet përkohësisht në Austri. Nëse qëndrojnë mbi 6 muaj në Austri ose vendosin vendbanimin në Austri, duhet të konvertojnë patentë shoferin kosovar. Megjithatë, patentë shoferët kosovarë nuk ishin të barabartë me ata austriakë, ndaj konvertimi kërkonte një provim praktik të vozitjes”, thuhet në njoftim.

Image

Ambasada shpjegon edhe ndryshimet procedurale që kanë ndodhur.

“Tani, me ndryshimin e rregullores përkatëse, që nga 1 marsi 2025, patent-shoferët e Kosovës të të gjitha kategorive do të jenë të barabartë me patent-shoferët austriakë. Kjo do të thotë se patent-shoferët kosovarë, që nga ky moment, mund të konvertohen në Austri pa pasur nevojë për një provim praktik të vozitjes, nëse qëndrohet mbi 6 muaj në Austri ose vendoset qëndrimi i përhershëm në Austri”.

Me këtë ndryshim të rregullores, Austria plotëson një kërkesë të rëndësishme dhe konkrete të ekonomisë dhe të gjithë atyre që posedojnë një patentë shoferi kosovare, thuhet tutje në njoftim.