
Objekti i rrezikshëm në Magure, AKP-ja nuk pranoi kërkesë nga komuna për rrënim
Agjencia Kosovare e Privatizimit nuk ka pranuar kërkesë nga Komuna e Lipjanit pavarësisht se në mes të dyjave kishte dakordim që objektet që konsiderohen të rrezikshme, të rrënohet. Liridon Tërshani deklaroi zyrtarë komunalë e kishin vizituar objektin me premtimin se i njëjti, do rrënohet. E nga këta të fundit, televizioni nuk ka arritur të bie në kontakt.
Objekti në pronën e Liridon Tërshanit për të cilën kishte raportuar televizioni ditë më parë, nuk ishte në listën e pronave për rrëzimin e të cilave, AKP-ja kishte dhënë miratim.
E kjo ngase nga Komuna e Lipjanit, objekti nuk ishte përfshirë në listë.
Por nga AKP, kanë deklaruar se kishte një dakordim me Komunën për rrëzimin e objekteve që paraqisnin rrezik.
“Objekti në fjalë nuk ndodhet në ngastrën kadastrale për te cilën është nxjerrë vendimi i BD të AKP-së për aprovimin e rrënimit të objekteve me rrezikshmëri të lartë. Megjithatë, në takimet me zyrtaret komunal ne jemi dakorduar që për çdo objekt i cili konstatohet nga organet kompetente komunale (Inspektoriati dhe urbanizmi) që ka rrezikshmëri rrënimi, të ndërmerren veprime për rrënimin e tyre duke njoftuar AKP-në me raportet e inspektimit dhe vlerësimit dhe duke kërkuar miratimin për rrënimin e tyre. AKP-ja vazhdimisht ka bashkëpunim me Komunën e Lipjanit lidhur me rrënimin e objekteve te cilat mund te paraqesin rrezik për popullatën, për disa objekte veç është dhënë miratimi nga Bordi i Drejtorëve të AKP-së dhe sigurisht edhe për objektet tjera në koordinim me Komunën e Lipjanit, shumë shpejt do i ndërmarrim veprimet e nevojshme. Zyrtarët e AKP-së realizojnë vizita në teren dhe për gjendjen e objekteve të NSH MIM Golesh në fshatin Magurë janë në dijeni edhe autoritetet Komunale të Komunës së Lipjanit. Ka pasur vizita të përbashkëta në teren”, kanë thënë nga AKP-ja.
Kërkesën e Liridon Tershanit për rrëzimin e një objekti thuajse të rrënuar, komuna e Lipjanit e ka mohuar ditë më parë kur televizioni raportoi duke e quajtur propagandë interesimin për sqarime.
Ndërkohë, banori që e kishte paraqitur rastin tha se vet kryetari kishte shkuar në vendngjarje dhe premtuar se objekti do të rrënohej.
“Me nënkryetarin Diamantin kam shkuar dhe më kanë thënë se s’është përgjegjësi e jotja. Ne e kemi për detyrë të angazhoheni në zyrë të AKP. Edhe në AKP kam shkuar, më kanë thënë se siç kanë kërkuar për objekte të tjera në Magurë do duhej kërkuar edhe për obejektin që keni në oborr. E pash në lajme që kryetari i Komunës kishte thënë se s’është përgjegjësi e jonja e vet ka qenë e ka parë objektin, dhe ka thanë që brenda javës e kryen këtë punë. Kjo ka qenë vitin e kaluar”, ka thënë banori Liridon Tershani.
Televizioni ka provuar të marrë edhe një përgjigje nga kryetari dhe nënkryetari i komunës së Lipjanit, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm. /dukagjini