
Prania e forcave amerikane nuk ka ndryshim në Kosovë, thotë një zyrtar i Pentagonit
Një zyrtar i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes ka deklaruar se nuk ka asnjë ndryshim në qëndrimin e forcave amerikane në Kosovë, teksa ka komentuar raportimet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga vendi.
Në një deklaratë për Televizionin Dukagjini, zyrtari ka theksuar se aktualisht “nuk ka ndryshim” sa i përket qëndrimit të trupave amerikane në Kosovë.
“Nuk kemi asnjë ndryshim të qëndrimit të forcës për të njoftuar në këtë moment”, ka thënë zyrtari i mbrojtjes për Televizionin Dukagjini.
Aktualisht, sipas listës së vendeve kontribuuese në kuadër të KFOR-it, Italia ka numrin më të madh të trupave me 1,258 ushtarë, ndërsa SHBA-ja renditet e dyta me 602 trupa.
Edhe NATO ka komentuar mbi raportimet për një tërheqje të mundshme të trupave amerikane nga Kosova, duke theksuar se aleanca po përshtatet vazhdimisht me ndryshimet për të garantuar mbështetje të fuqishme për sigurinë dhe stabilitetin në rajone kyçe.
Një zyrtar i NATO-së, për Dukagjinin ka thënë se SHBA-ja e kishte bërë të qartë se pret që aleatët e NATO-s të investojnë dhe të kontribuojnë më shumë në sigurinë e përbashkët.
Sipas tij, Shtetet e Bashkuara mbeten të angazhuara plotësisht në Aleancën Veri-Atlantike dhe vazhdojnë të luajnë një rol kyç në misionin paqeruajtës në Kosovë.
“Zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë angazhimin e tyre ndaj Aleancës, përfshirë praninë e SHBA-së në Evropë dhe se parandalimi dhe mbrojtja e NATO-s duhet të mbeten të fuqishme. Si pjesë e kësaj, SHBA e ka bërë të qartë gjithashtu pritjen e saj që aleatët e NATO-s të bëjnë më shumë, të investojnë më shumë dhe të prodhojnë më shumë në mbështetje të sigurisë sonë të përbashkët. NATO po përshtatet vazhdimisht me një mjedis në ndryshim. Kjo është pjesë e asaj që duhet për të qëndruar gati”, thuhet në përgjigjen e NATO-s për Dukagjinin.