Rama: Tiranën moderne e bëra unë dhe Erion Veliaj

Rama: Tiranën moderne e bëra unë dhe Erion Veliaj

Aktuale February 20, 2025 - 17:57

Edhe pse tha që tashmë i takon drejtësisë zgjidhja e dilemës së madhe nëse Erion Veliaj ka faj apo jo, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, u shpreh se “kryebashkiakut duhet t’i jepet e drejta e një gjyqi dinjitoz”. Nga sheshi “Skënderbej”, theksoi se pa të dhe Veliajn, Tirana nuk do të ishte sot pikë turistike përgjatë 12 muajve të vitit e as s’do kishte njohur kurrë këtë transformim historik.

“Uroj dhe dua të besoj akoma se përtej asaj çfarë mendojnë në përfaqësinë e tij, atij do t’i jepet e drejta elementare të një gjyqi dinjitoz. Përtej kësaj çështjes specifike që është e drejtësisë, jo e jona, askush dhe asgjë, asnjë buf dhe asnjë specie tjetër e kënetës nuk e mbulon dot me shoshën e llumit diellin e tranformimit kolosal e historik të Tiranës sonë.

Ku pa mua që e nxorra nga koma, e pastrova nga llumi dhe e ngrita në këmbë me mbështetjen e pakursyer të popullit të Tiranës dhe pa lali Erin që e bëri të vrapojë dhe të kthehet në destinacion turistik gjithëvjetor, ky qytet s’do ishte kurrë vendi ku sot shëtisin si europianë që të gjithë. Gjithologë, prokurorë, analistë, gazetarë, opozitarë e duke i çuar fëmijët nëpër shkolla që s’u lënë mangët shkollave të BE-së, apo duke shëtitur nëpër parqe dhe duke dalë për vrap nga liqeni, në një park si parqet në Europë. Këneta thotë se Tiranën moderne e bëri koha, por dëmet dhe përmbytjet i bën bashkia. Tiranën moderne nuk e bëri koha, e bëmë ne!”, deklaroi Rama këtë të Enjte./tvklan.al