Eurodeputeti Terras kërkoi nga BE-ja heqjen e masave dhe nga shtetet mosnjohëse ta njohin Kosovën
Foto: Laura Hasani

Eurodeputeti Terras kërkoi nga BE-ja heqjen e masave dhe nga shtetet mosnjohëse ta njohin Kosovën

Aktuale February 20, 2025 - 13:54

Në Komitetin për Politikë të Jashtme të Parlamentit Evropian është diskutuar draftraporti për Kosovën, me anë të së cilit kërkohet heqja e menjëhershme e masave ndëshkuese.

Autor i raportit, eurodeputeti Riho Terras, ka cilësuar se Bashkimi Evropian duhet të merr një rol edhe më aktiv në Ballkanin Perëndimor, pasi vendet e rajonit po përballen me regjime autoritare që do të donin jo vetëm ta shihnin rajonin si zonën e tyre të interesit, por edhe si një urë lidhëse për të importuar fërkime dhe konflikte në Evropë.

“Gjithashtu besoj dhe theksoj në raport se BE-ja duhet të heqë masat që i janë vënë Kosovës dhe që janë të padrejta. Këto masa duhet të hiqen sa më shpejt të jetë e mundur. I kam bërë thirrje gjithashtu shteteve mosnjohëse që të rishqyrtojnë qëndrimin e tyre ndaj Kosovës në mënyrë që të përshpejtohet integrimi në BE”, ka theksuar Riho Terras, raportues për Kosovën në PE.

Të pranishëm në debat ishin edhe eurodeputetët të cilët ishin anëtarë të misionit vëzhgues për zgjedhjet e 9 shkurtit. Ata përgëzuan mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, por nënvizuan retorikën e ashpër që ka dominuar në fushatë si presionin ndaj medieve si dhe problemet ne numërimin e votave.

Për përfaqësuesit të shërbimit të jashtëm të BE-së, pavarësisht lëshimeve, Kosova në ditën e zgjedhjeve ka dëshmuar se është demokraci funksionale. Ajo tha se mirëpret formimin e qeverisë së re në mënyrë që të krijohet një momentum i ri në rrugën e vendit drejt BE-së.

“Tani me përfundimin e zgjedhjeve duam të krijojmë një momentum të ri në rrugën e Kosovës në BE. Përfaqësuesja e lartë Kallas dhe Komisarja Kos kanë qenë të qarta në deklaratën e tyre për gatishmërinë për të përgatitur një opinion rreth aplikimit të Kosovës për anëtarësim, sapo këtë ta kërkojë Këshilli i BE-së. Megjithatë përparimi në rrugën drejt BE-së, megjithatë, kërkon përparim në normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ky është kushti kryesor. Nuk ka alternativë ndaj dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, theksoi Zuzana Mihalkova Sutijakova nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së.

Pas miratimit në komitetin për politikë të jashtme ky dokument, gjatë verës votohet në seancë plenare kur e merr versionin e Rezolutës së Parlamentit Evropian. /rtk