U pyet se a do t’i përgjigjet urdhrit të Gjykatës, Kurti nuk deklarohet
Foto: Laura Hasani

U pyet se a do t’i përgjigjet urdhrit të Gjykatës, Kurti nuk deklarohet

Aktuale February 20, 2025 - 13:44

Sot në Stan Tërg është mbajtur manifestimi qendror i Javës së Minatorëve, ndërkaq i pranishëm ishte edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti pas vizitës atje u pyet nga gazetarët nëse do t’i përgjigjet urdhrit të Gjykatës për dëshmi lidhur me rastin e rezervave shtetërore, por nuk u deklarua.

“Urime Java e Minatorëve”, tha shkurt Kurti, duke anashkaluar pyetjen e gazetarëve, raporton Telegrafi.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka dorëzuar në Gjykatën Themelore kërkesën që kryeministri Albin Kurti, të paraqitet në PSRK për të dhënë dëshminë në cilësinë e dëshmitarit lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Lajmin e kishte konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila pohoi se janë në shqyrtim të kërkesës.

“Konfirmojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special ka pranuar kërkesën në fjalë nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, e njëjta është duke u shqyrtuar nga gjykata”, ishte shprehur Gashi.

Kryeministri Kurti është ftuar si dëshmitar nga Prokuroria që të japë versionin e tij lidhur me rastin e rezervave shtetërore për të cilin të dyshuar janë afaristi Ridvan Muharremi dhe zyrtarët e Ministrisë se Tregtisë dhe Industrisë, Irfan Lipovica dhe Hafiz Gara.

Prokuroria kishte ftuar tri herë me radhë kryeministrin Albin Kurti për intervistim, por i njëjti nuk është përgjigjur thirrjeve të prokurorisë.

Kurti kishte deklaruar se prokurorët duhet të shkojnë dhe ta intervistojnë atë në zyrën e kryeministrit, duke deklaruar se këtë praktikë e kanë bërë edhe më herët prokurorët.