Arrestimi i Veliajt, Rama: SPAK-u përdor metoda të Sigurimit të Shtetit, shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional

Arrestimi i Veliajt, Rama: SPAK-u përdor metoda të Sigurimit të Shtetit, shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional

Aktuale February 20, 2025 - 11:27

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka kritikuar sërish Prokurorinë e Posaçme, për arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.

Komentet Rama i bëri në rubrikën Sy m’Sy në faqen e tij në Facebook, ku tha se në rastin Veliaj ishte shkatërruar jeta e një njeriu për budallallëk profesional të prokurorëve të SPAK-ut.

Kryeministri tha gjithashtu se SPAK-u ka edhe anë pozitive, por edhe negative dhe sipas tij, kjo strukturë duhet të jetë e pavarur dhe me standarde evropiane e profesionale.

Shefi i ekzekutivit shtoi se SPAK-u nuk mund të hetojë me metoda të Sigurimit të Shtetit, duke nënkuptuar se kryebashkiaku Veliaj ishte hetuar në mënyrë të tillë.

“SPAK-u ka gjëra negative, por edhe gjëra pozitive. Kur shkatërrohet jeta e një njeriu për budallallëk profesional, është e tepruar. Nuk mund të hetohet me metoda të Sigurimit të Shtetit, synojmë të kemi drejtësi të pavarur dhe të standardeve evropiane. Unë uroj të jetë një lajthitje e momentit dhe të ndalet survejimi në territor.

Nuk mund të kthehemi në kohë të errëta, sa kush merret me politikë të survejohet. Drejtësia duhet mbështetur fuqimisht, që të bëjë punën e vet. Secili është në punën e vet, ne kemi punën tonë dhe nuk duhet të ndërhyjmë tek njëri-tjetri. Por, duhet të luftojmë të gjithë për drejtësi profesionale”, tha Rama, shkruan A2 CNN.