
Rama: Reformën në drejtësi nuk e solli Amerika dhe as s’e merr dot me vete
Kryeministri Edi Rama përsëri edhe një herë qëndrimin e tij se Reformën në Drejtësi në Shqipëri nuk e bënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Duke iu përgjigjur komenteve në rrjetet e tij sociale, Rama tha se “drejtësia e pavarur, për aq sa është pavarësuar dhe për aq sa po kontribuon dhe nuk po kontribuon pak në përpjekjen tonë të përbashkët për të ulur Shqipërinë në tryezën e Bashkimit Evropian, është fryt i vizionit, i vullnetit dhe i përpjekjes titanike të Partisë Socialiste të Shqipërisë”.
“Nuk e solli Amerika dhe Amerika nuk e merr dot me vete sepse jemi ne këtu që e kemi dëshiruar këtë gjë, e kemi shkruar në programet tona qysh kur ishim në opozitë, qysh kur unë udhëhoqa PS në zgjedhjet e para te përgjithshme që i humbëm me një marzh shumë të vogël, po kjo është një histori tjetër. Dhe është fryt i qëndrimit tonë të prerë. Po të ishim ne, i dashur mik, kundër drejtësisë, atëherë ne do të ishim këtu pa asgjë nga këto që shikon dhe komenton sikur i ka bërë Amerika. Jo! Amerika ka dhënë një mbështetje të madhe bashkë me BE në procesin e reformës, por pavarësia dhe qëndrueshmëria e institucioneve të drejtësisë varet vetëm nga vullneti i PS, sepse nëse PS e lëshon këtë llogore, ju e keni parë shumë mirë që të tjerët janë të rreshtuar në llogoren e luftës kundër institucionit të drejtësisë, të kriminalizimit dhe bombardimit të SPAK-ut dhe të drejtuesit të SPAK-ut me gjithfarë lloj shpifjesh, akuzash, shantazhesh, fyerjesh dhe kështu me radhë”, tha Rama.
“Prandaj të jesh i sigurt që drejtësi që i shërben pushtetit të radhës nuk do të ketë sa kohë që PS do jetë në pushtet, me mua në krye ose më tutje, pas 2030 me këdo tjetër që do të marri stafetën. Kur ne të jemi anëtar të BE, kur ne ta vëmë aty në tryezë atë fiksimin tim “Albania” në tryezën e Këshillit Europian. Nuk e di a më kuptove por do më kuptosh duke parë fakte dhe duke çmuar realitetin”, tha ai.