
Ushtarë të KFOR-it nga kombe të ndryshme marshojnë bashkë në “Bondsteel”
Ushtarët nga kombe të ndryshme në Komandën Rajonale të Lindjes të KFOR-it janë bërë bashkë në një marshim në kampin “Bondsteel”.

KFOR-i në njoftim ka theksuar se trajnimi së bashku i mundëson KFOR-it të jetë më i fortë së bashku, duke punuar për të siguruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet e Kosovës.

KFOR-i përsëriti se vazhdon të zbatojë mandatin e tij – duke u bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.

KFOR-i punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) në rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë.