Osmani pranon urime nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë: Mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

Osmani pranon urime nga Guvernatorja e Përgjithshme e Kanadasë: Mbështesim rrugën evropiane të Kosovës

Aktuale February 20, 2025 - 09:36

Presidentja Vjosa Osmani ka pranuar mesazh urimi edhe nga guvernatorja e përgjithshme e Kanadasë, Mary May Simon, me rastin e përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së vendit.

Në mesazhin e saj, guvernatorja e përgjithshme ka theksuar lidhjet e ngushta ndërmjet dy vendeve, të cilat bazohen në vlerat dhe qëllimet e përbashkëta, duke përfshirë angazhimin për paqe, stabilitet rajonal dhe demokraci.

Ajo ka ritheksuar mbështetjen e palëkundur të Kanadasë për rrugën evropiane dhe transatlantike të Kosovës dhe ka vlerësuar përparimin e bërë në këtë drejtim.

Sipas Simonit, mërgata kosovare në Kanada përfaqëson një komunitet të gjallë dhe të angazhuar që kontribuon ndjeshëm në shoqërinë kanadeze përmes trashëgimisë kulturore, angazhimit akademik dhe pjesëmarrjes në jetën sociale dhe ekonomike.

Në përfundim të urimit, guvernatorja e përgjithshme ka shprehur dëshirën për të vazhduar forcimin e lidhjeve dypalëshe dhe bashkëpunimit në forume ndërkombëtare, duke uruar presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës për shëndet, lumturi dhe prosperitet në vitin e ardhshëm.

Image