
Gashi për mungesën e Thaçit në seancë: Gjykata Speciale duhet të informojë për gjendjen e tij, që të mos lejojë aludime
Avokati Tomë Gashi ka komentuar mungesën e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, në seancën e fundit të gjykimit në Gjykatën Speciale në Hagë, duke theksuar se as avokati i tij nuk ishte informuar për arsyet e mungesës.
Gashi kërkoi që Gjykata Speciale të sqaronte gjendjen shëndetësore të Thaçit, pasi mungesa e tij mund të krijojë aludime të dëmshme për kredibilitetin e Gjykatës.
“Gjykata Speciale lejon në kushte të caktuara që gjykimi të mbahet edhe pa prezencën e personave për të cilët mbahet gjykimi. Kemi parë një çështje shumë shqetësuar ditën e djeshme, që Thaçi nuk ka marrë pjesë në gjykim dhe më shqetësuese që as avokati i tij nuk e ka ditur arsyet e mungesës së tij në sallën e gjykimit. Avokati e ka obligim që të përkujdeset dhe të informohet se pse klienti i tij nuk vjen në gjykim. Largësia në mes qendrës paraburgimit dhe gjykatës nuk është ndonjë distancë e madhe, por është shqetësuese duke pasur parasysh peshën dhe rasteve dhe personave, do të duhej që Gjykata Speciale për opinionin tonë të jap një sqarim se si është gjendjen shëndetësore e Thaçit. Nëse nuk bëhet kjo mund të lejojnë aludime të llojllojshme që nuk janë të mira për kretibilitetin e Gjykatës Speciale. E di që gjykatat e rregullta në Kosovës, nuk bëjnë gjëra të tilla”, deklaroi Gashi.
Gashi theksoi rëndësinë e informimit të avokatëve për gjendjen e klientëve të tyre, për të mundësuar një përfaqësim të duhur dhe të drejtë në procesin gjyqësor.
“Duke marruar parasysh që në Hagë duhet të ketë përkujdesje shëndetësor shumë të mirë, dhe sigurisht që e kanë, por prape se prape në momentin që nuk mund të shkojë në seanca gjendja mund të jetë alarmante dhe gjykata e ka për obligim ta njoftoj opinionin lidhur me gjendjen shëndetësore të kujtdo që është duke u përballur me këto akuza të padrejta”, tha ai për Ekonomia Online.
Sipas tij, mungesa e Thaçit nuk do të ndikojë në procesin e gjykimit të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale.
“Nuk ndikon në procesin e gjykimit, sepse është e paraparë që nëse një person ndaj i cilit po zhvillohet një gjykim, nuk është obligative të jetë permanent në sallën e gjykimit. Nuk është hera e parë që kemi pasur gjykim në mungesë të tyre dhe gjykata ka vazhduar punën, por nuk është shkelje ligjore. Roli i avokatëve nuk është sikur roli i mjekut por duhet sigurisht të informohen për klientët e tyre, sepse është një punë primare që nëse nuk e dinë çfarë gjendje shpirtërore apo shëndetësore atëherë duhet me këshilluar me të”.
“Bashkëpunimi në mes avokatëve të huaj me vendorë është obligative për të pasur një sukses sa më të mirë që është e mundshme, në rast se nuk e dinë gjendjen shëndetësore të tij, atëherë si mundet avokati me i paraqit pyetje dikujt një dëshmitari që mund të jetë i rëndësishëm pa biseduar pa klientin e tij, sepse klienti mund ta njeh”, shtoi ai.
Ai ka theksuar se pasi të jenë administruar të gjitha provat, gjykata do të tërhiqet për këshillim dhe votim, duke shpallur më pas aktgjykimin publikisht.
“Ky nuk është fundi i procesit deri më katër prill prokurorët do të jenë në gjendje, që para Gjykatës Speciale në Hagë, t’i paraqesin të gjithë dëshmitarët të cilët kanë qenë në listën e tyre dhe pastaj vazhdon procesi me paraqitjen me dëshmitarët dhe provat e mbrojtjes, dhe para përfundimit të gjykimit, nëse trupi gjykues mendojnë që duhet zyrtarisht që ta thërras ndonjë dëshmitarë atëherë trupi gjykues ka të drejtë të thërret persona të caktuar për të dëshmuar për të sqaruar në rrethana të paqarta. Me përfundimin e të gjitha dëshmive dhe administrimin e të gjitha provave materiale që kanë e që janë tepër shumë, atëherë gjykata tërhiqet në këshillim dhe votim dhe e nxjerrin një aktgjykim të cilin e shpallin publikisht”. tha avokati Gashi.
Për mungesën e Thaçit njoftoi avokati i tij, Luka Misetiq, sipas tij, ish-luftëtari i UÇK-së ka pasur probleme shëndetësore, dhe e ka pasur të pamundur pjesëmarrjen.