Këngëtarë, aktorë, trajnerë futbolli, kush u bë deputet e kush u zhgënjye?
Foto: Laura Hasani

Këngëtarë, aktorë, trajnerë futbolli, kush u bë deputet e kush u zhgënjye?

Aktuale February 20, 2025 - 08:07

1 mijë e 280 kandidatë për deputetë nga 28 subjekte politike garuan për 120 ulëse në Kuvend. Këngëtarë, trajnerë futbolli, aktorë, e profesor, këto janë profesionet e disa deputetëve që befasuan këtë herë. Ka ministra të Qeverisë Kurti që e shtatëfishuan votën, e ka prej tyre që nuk janë as në top 50-shen e më të votuarve.

“Profën e respektoj e dua shumë, nuk diskutohet por votën nuk ja kam qitë”.

Liridon Leci mund të mos e ketë mbështetur kolegun, por Profa i Duelit Sportiv ka grumbulluar fiks 12 mijë e 366 vota.

Bylbyli vërtetë u tregua Sokol, duke e siguruar ulësen e deputetit.

Votuesi i Lëvizjes Vetëvendosja tregoi se po i pëlqen këngëtarja Edona Llaloshi, dhe se vendin e saj në Kuvend nuk do ta zë askush pos saj. Me gati 27 mijë vota Llalloshi hynë në top pesëmbëdhjetëshen e Vetëvendosjes, për dallim për shembull me ministren Rozeta Hajdari e cila nuk është as në pesëdhjetëshen e parë.

Në mesin e të paktën mbi 45 deputetëve, Edona Llaloshi në Kuvend do ta ketë në krah edhe Agim Bahtirin, i cili ka fituar mbi 15 mijë vota.

Faton Peci i Listës Guxo ka shpërthyer me vota. Ministri në detyrë i Bujqësisëë e ka trefishuar votën duke grumbulluar fiks 84 mijë vota, i treti kandidat më i votuar në partinë e Kurtit.

Rekordin e Vjosa Osmanit e cila fitoi mbi 300 mijë vota nuk po e arrin tash numri 1 në Lëvizjen Vetëvendosje. Me mbi 222 mijë vota, Kurti mbetet më i votuari në këto zgjedhje nga të gjitha partitë, por me rreth 80 mijë vota më pak sesa rekordi që e mbanë Presidentja nga zgjedhjet e 2021-s. Pas Kurti vjen numri dy, Glauk Konjufca i cili megjithkëtë ka 30 mijë vota më pak, pak mbi 170 mijë votues.

Postit të Ministrit të Financave ia pa hairin ose diti ta shfrytëzojë për të fituar përkrahje edhe Hekuran Murati, meqenëse e ka dyfishuar votën, ka marrë mbi 80 mijë vota.

Nëse dikush ka arsye të festoj me këto rezultate është ministri Xhelal Sveçla. Më 2021 kishte mbi 10 mijë vota, ndërsa tash ka grumbulluar gati 73 mijë vota. Kjo është pak a shumë pasqyra me disa befasi por me ministrat që kryesisht janë lartë në listë, përjashto atë të Arsimit, Arbërie Nagavci, e cila ka afër përgjysmë më pak vota.

Emërtimin befasi e meriton fakti se deputet nuk arriti të bëhet Xhavit Haliti i PDK-së. Fisk në tetë palë zgjedhje që nga 2001 ishte pjesë e Kuvendit por këtë herë votues e la jashtë. Edhe të tjerë ish-deputetë rrezikojnë të mbesin jashtë Kuvendit, Hisen Berisha, Ardian Kastrati e Hajdar Beqa.

Njeriu që synonte postin e kryeministrit në zgjedhjet e kaluara, Enver Hoxhaj, nga bartësi i listës me mbi 100 mijë vota, tash renditet i gjashti me gati 23 mijë votues.

Të kundërtën e ka bërë Bedri Hamza, që në këto zgjedhje ishte pretendent për kryeministër. Prijësi i PDK-së ka grumbulluar mbi 122 mijë vota.

Pas tij vjen kryetar i partisë, Memli Krasniqi, me gati 70 mijë vota, rreth 6 fishë më shumë sesa më 2021.

Në 25 ulëset që i takojnë PDK-së, vend për befasi nuk kanë lënë as Uran Ismaili me mbi 29 mijë vota dhe Vlora Çitaku, me mbi 28 mijë votues.

Top pesëshen e PDK-së e mbyllë një vajzë e re nga një familje emblematike por pak e njohur deri tash. 25 vjeçarja, Sala Jashari, ani se kandidate për herë të parë, arriti t’u fitojë mbi 27 mijë vota, që padyshim është befasi e zgjedhjeve e listës se PDK-së.

Lumir Adixhiku pos që e ka rritur LDK-në me rreth 40 mijë vota, nga mbi 25 mijë vota sa kishte më 2021, tash ka shkuar në mbi 87 mijë.

LDK do të ketë të paktën 20 deputetë, dhe e dyta në listë me më së shumti vota është transferi nga koalicioni në pushtet, Doarca Kica-Xhelili, që ka gati 35 mijë vota.

Një ndër deputetet më të zëshme në legjislaturën e kaluar është shpërblyer me votë. Bëhet fjalë për Hykmete Bajramin të cilës edhe një mandat ia dhanë gati 33 mijë qytetarë.

Me 29 mijë vota vjen Kujtim Shala, pasuar nga Avdullah Hoti me gati 24 mijë, për ta mbyllur top-pesëshen e parë, nën të cilën me rreth 23 mijë vota qëndron Lutfi Haziri.

Nëse për koalicionin AAK-Nisma befasi ka qenë rezultat me tetë deputetë në Kuvend, kështu nuk mund të konsiderohet radhitja në listë.

Ramush Haradinaj me mbi 34 mijë vota i prinë listës, pasuar nga vëllai Dauti, që ka gati 20 mijë vota.

Partneri i koalicionit, Fatmir Limaj, ka vetëm një mijë vota më pak se Daut Haradinaj.

Time Kadrijaj mbetet ndër më të preferuarat në AAK, e katërta në listë ajo ka gati 12 mijë votues. Top pesëshen e mbyllë Bekë Berisha me mbi 11500 vota, pas së cilit vjen Lahi Brahimaj i konsideruar si befasia e këtyre zgjedhjeve me 2 mijë vota më pak.

Përbërja e listave bazohet në rezultate preliminare dhe të publikuar nëpër media, meqenëse ende nuk ka përfunduar zyrtarisht numërimi i votave në mënyrë që të kumtohen zyrtarisht emrat e deputetëve që do ta përfaqësojnë popullin në sallën me 120 ulëse. /dukagjini