
Skandal në Aeroportin e Beogradit: Vajza portugeze keqtrajtohet veç pse mbante një bluzë me flamurin shqiptar
Një incident i rëndë ka ndodhur në Aeroportin “Nikola Tesla” të Beogradit, në ditën e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Një vajzë portugeze, e cila ndodhej në tranzit drejt Amsterdamit, është përballur me një trajtim të papranueshëm nga autoritetet serbe.
Sipas dëshmisë së saj, e dokumentuar në një video të publikuar online, punonjësit e sigurisë e kanë ndaluar dhe keqtrajtuar atë vetëm për faktin se kishte veshur një bluzë me simbolin e flamurit shqiptar dhe figurën e heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.
Videoja e vajzës portugeze ka marrë vëmendje të gjerë në rrjetet sociale dhe ka shkaktuar reagime të shumta.
Gazetari i njohur Blendi Fevziu ka shpërndarë pamjet e incidentit, duke e cilësuar trajtimin e saj si të papranueshëm dhe një tregues të qasjes diskriminuese në Serbi ndaj simboleve shqiptare./Telegrafi/