Orav: Duhet të përmbushen edhe disa kushte për heqjen e masave ndaj Kosovës
Foto: Laura Hasani

Orav: Duhet të përmbushen edhe disa kushte për heqjen e masave ndaj Kosovës

Aktuale February 19, 2025 - 21:10

Ambasadori Aivo Orav, shefi i zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka parë nga afër ndërtimin e shkollës më të madhe në Prizren, një investim i BE-së që kushtoi 5.2 milionë euro. Gjatë qëndrimit në këtë qytet, Orav theksoi se me plotësimin e kushteve, Kosovës do t’i hiqen edhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian.

Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka qëndruar në qytetin e Prizrenit. Në takimin me kryetarin e komunës, Shaqir Totaj, Orav tha se kanë biseduar për situatën politike dhe ekonomike të Kosovës.

Ambasadori i BE-së nënvizoi dëshirën e madhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e familjes së madhe të BE-së. Ai tha se duhet që 27 vende të BE-së të vendosin për heqjen e masave që i janë vënë Kosovës kohë më parë.

"Mua më duket se shpesh është deklaruar edhe prej nivelit të BE-së, se Bashkimi Evropian nuk është i plotë derisa vendet e Ballkanit Perëndimor të bëhen anëtare. Unë shpresoj që kjo të ndodhë shpejt, e të mos shtyhet për më vonë. Mirëpo, nga ana e Kosovës, duhet të përmbushen edhe shumë kushte dhe duhet të kryhen detyrat e caktuara. Për t’i hequr masat, duhet konsensusi i 27 shteteve të BE-së, pastaj ka edhe diskutime që janë në proces", tha Orav.

Së bashku me kryetarin e komunës, Shaqir Totaj, Orav dhe stafi i tij vizituan shkollën në lagjen "Dardania", investim i BE-së që ka kushtuar 5.2 milionë euro dhe ka kapacitet prej 900 nxënësish.

"Jam shumë optimist se në të ardhmen na presin ditë më të mira, na pret një nivel më i lartë i bashkëpunimit, na pret një efikasitet më i madh i operacioneve, dhe në këtë mënyrë, konsideroj që Prizreni do të jetë një nga komunat që do të prijë në këtë aspekt", tha Totaj.

"Duket se shkolla tani është e gatshme, vetëm se duhet të bëhen lidhjet e duhura me energji elektrike, kështu që nxënësit së shpejti do të mund ta përdorin", tha ai.

Orav, nën shoqërimin e kreut të komunës, Shaqir Totaj, vizituan edhe objektet e trashëgimisë kulturore në Zonën Historike të Prizrenit./RTK