
Kështu e uroi Begaj presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një mesazh urimi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Në urimin e tij, Presidenti Begaj ka përgëzuar institucionet dhe qytetarët e Kosovës për përkushtimin e tyre në ndërtimin dhe konsolidimin e një shteti të pavarur, sovran dhe demokratik.
Presidenti Begaj ka vlerësuar faktin që Kosova është një realitet i pakundërshtueshëm dhe një partner i besueshëm në rajon, duke theksuar kontributin e saj për paqen, sigurinë dhe prosperitetin. Ai ka theksuar rëndësinë e intensifikimit të marrëdhënieve "si dy shtete të një kombi me një të ardhme të përbashkët euroatlantike".
Në mesazhin e tij, Presidenti Begaj ka ripërsëritur mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë për Kosovën në të gjitha sfidat e saj, përfshirë përpjekjet për njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe rajonale./Zëri
