Kryetari Totaj dhe ambasadori Orav vizitojnë shkollën e re në lagjen “Dardania” të Prizrenit

Kryetari Totaj dhe ambasadori Orav vizitojnë shkollën e re në lagjen “Dardania” të Prizrenit

Aktuale February 19, 2025 - 13:44

Autoritetet komunale të Prizrenit dhe drejtues të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë kanë vizituar ndërtesën e shkollës në ndërtim në lagjen “Dardania”.

Sipas njoftimit të Komunës së Prizrenit, ky projekt financohet nga fondet e BE-së.

“Kryetari Shaqir Totaj, së bashku me shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav, vizituan sot shkollën e re në lagjen ‘Dardania’ në Prizren, projekt i financuar nga BE-ja dhe i realizuar në bashkëpunim me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se kjo shkollë do të ketë 24 dhoma mësimi, kabinete, laboratorë, hapësira për parashkollorë, sallë të edukatës fizike, si dhe hapësira të zyrave administrative për personelin mësimor.