Fushata zgjedhore e kushtueshme, pritet verifikimi i shpenzimeve të plota
Foto: Laura Hasani

Fushata zgjedhore e kushtueshme, pritet verifikimi i shpenzimeve të plota

Aktuale February 19, 2025 - 12:23

Shumica e subjekteve politike kanë bërë një fushatë të kushtueshme, ndonëse limiti i tyre i shpenzimeve ishte jo më shumë se 2 milionë e 47 mijë euro. Sidoqoftë, monitorimi Zyrës së Regjistrimit e Certifikimit dhe asaj të Kontrollit Financiar të KQZ-së do të verifikojë nëse ato do të deklarojnë shpenzimet e plota.

Tubimet, sallat, posterët, reklamat në media, kompanitë konsulentë, dhe zyrat e marra me qira, kanë lënë përshtypjen për një fushatë të kushtueshme zgjedhore të shumicës së subjekteve politike në Zgjedhjet Parlamentare të 9 shkurtit. Në këto zgjedhje një subjekt politik ka mundur të shpenzojë deri në 2,047.000 euro.

Rrejti i organizatave “Demokracia në Veprim” që ka monitoruar fushatën zgjedhore për kah respektimi i rregullave ligjore, vlerëson se fushata e shumicës së subjekteve dukej më e shtrenjtë se që ishte limiti i shpenzimeve .

Eugen Cakolli, nga Demokracia në Veprim, thotë se bazuar në trendët e monitorimit, shumica e subjekteve kanë bërë fushatë të kushtueshme. “ Janë në kufij të shumës prej dy milionë eurosh.’Duket që subjektet politike janë në limite të shpenzimeve të përcaktuara e disa prej tyre mund ta kenë kaluar këtë limit”, thotë Cakolli.

Zyra për Regjistrimin, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve si dhe Njësia e Kontrollit Financiar përmes zyrtarëve nëpër komuna kanë bërë monitorimin e fushatës në terren dhe të dhënat do të përdorën për të krahasuar raportet financiare të partive politike.

Besnik Buzhala, shefi kësaj zyre, i ka thënë Radio Kosovës se janë monitoruar tubimet e subjekteve politike të certifikuara, zyrat e tyre të marra me qira dhe materialet promovuese të tyre.

“Të dhënat janë mbledhur dhe ato do t’i dorëzohen auditorit e i cili do të auditojë raportet e deklarimit financiar të subjekteve politike, për të vërtetuar se a kanë raportuar saktë dhe a i kanë zbuluar të gjitha shpenzimet e tyre gjatë fushatës”, thotë Buzhala.

Subjektet politike obligohen të dorëzojnë këto raporte financiare 30 ditë pas certifikimit të rezultatit përfundimtare të zgjedhjeve.

Ylli Buleshkaj, drejtor i Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, gjithashtu ia ka konfirmuar Radio Kosovës se agjencia që ai drejton, ka shqiptuar vërejtje për disa zyrtarë që nuk kanë raportuar donacionet për subjektet politike në fushatë, si formë e mundshme indirekte e ndikimit në votë.

Transaksionet financiare të partive politike apo personave të lidhura me to gjithashtu monitorohen nga Njësia e Inteligjencës Financiare, por kjo njësi nuk ka pranuar të japë detaje për rastet e monitoruara të transaksioneve që ndërlidhen me fushatën zgjedhore.

Buxheti i Kosovës ndan 4.8 milionë euro nën vit në mbështetje të partive politike në vend, por jo posaçërisht për fushatë dhe në shumtën ato deklarojnë në raportet e tyre financiare vetëm të ardhurat nga buxheti i shtetit, por jo edhe burimet e tjera financiare.

“Nuk do mend e as analizë shumë për të kuptuar se partitë politike marrin financa nga donatorë të ndryshëm privatë, por që shteti nuk ka mungesë të resurseve për të hetuar ato”, ka thënë Cakolli.

Ligji për Financimin e Partive Politike kufizon kompanitë që financojnë një subjekt politik që nuk mund të marrin tenderë jo vetëm kur ajo parti të jetë në pushtet por edhe tre vjet më pas, dhe për këtë arsye shumica e subjekteve nuk zbulojnë burimet e donacioneve të tyre.