
Djali i Jakup Krasniqit, në mesin e 20 kandidatëve më të votuar në PDK
Zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025 kanë sjellë emra të rinj në politikë e sidomos në listat e kandidatëve për deputetë.
PDK-ja në këto zgjedhje i ka hapur “derën” një numri të madh të të rinjve, e Altin Krasniqi është njëri ndër ta.
Altin Krasniqi, djali i Jakup Krasniqit ka kandiduar në zgjedhjet e 9 shkurtit dhe ka marrë një numër të madh votash.
Në një listë të siguruar nga lajmi.net, në votat e numëruara deri tani Altin Krasniqi ka mbledhur plot 17 mijë e 801 vota.
Ai në këtë listë radhitet edhe para disa ish deputetëve si Rashit Qalaj, Abelard Tahiri, Ariana Musliu Shoshi, Bekim Haxhiu e Eliza Hoxha.
Nga PDK, më së shumti vota ka marrë kandidati për kryeministër Bedri Hamza me 131912, pas tij i pari i partisë Memli Krasniqi me 75096, e pastaj Uran Ismaili, Vlora Çitaku, Sala Jashari e të tjerët.
KQZ-ja sot, përmes një konference për media, ka njoftuar se deri sot në orën 16:00 janë numëruar 78% i votave për deputetë. Numërimi i votave do të vazhdojë edhe në disa Qendra Komunale të Numërimit.