Destani: 17 Shkurti, një nga datat më të rëndësishme të arritjeve historike kombëtare

Destani: 17 Shkurti, një nga datat më të rëndësishme të arritjeve historike kombëtare

Aktuale February 18, 2025 - 17:48

Filantropi i njohur shqiptar, Lazim Destani ka uruar Kosovën me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë, ku dje gjatë ditës ka qenë pjesë e aktiviteteve shtetërore që u organizuan me rastin e kësaj dite të rëndësishme.

Destani ka thënë se 17 Shkurti është dhe do të mbetet një nga datat më të rëndësishme të arritjeve historike kombëtare.

Në urimin e tij, filantropi shqiptar ka shtuar se kjo datë, është një ditë kur me nderim e përulje i kujtojmë dëshmorët e shumë brezave që ranë në fushën e nderit për lirinë e atdheut.

“17 Shkurti është dhe do të mbetet një nga datat më të rëndësishme të arritjeve historike kombëtare. Është një festë që na bën t’i kujtojmë me krenari e nderim përpjekjet shekullore dhe sakrificat e popullit tonë për liri e pavarësi. Është një ditë kur me nderim e përulje i kujtojmë dëshmorët e shumë brezave tanë që ranë në fushën e nderit për lirinë e atdheut”, ka shkruar Destani.

Destani gjatë ceremonive shtetërore, është takuar dhe ka shkëmbyer urime me Presidenten Vjosa Osmani, Kryeministrin Albin Kurti, me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj, e me figura të shumta nga të gjitha trevat tona.

Po ashtu, mori pjesë edhe në ceremoninë e organizuar nga Aleanca Kosovare e Bizneseve, ku të pranishëm ishin shumë përfaqësues nga bizneset kosovare, si dhe nga rajoni e Diaspora. /Zëri