
Si shpërndanë mediat ruse përmbajtje manipuluese para zgjedhjeve në Kosovë?
“Prishtina llogariti gabimisht - as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”...
Këta janë disa nga dhjetëra titujt në mediat shtetërore ruse të mbështetura nga Kremlini, RT Ballkan dhe Sputnik Serbia, të cilët janë publikuar gjatë fushatës parazgjedhore në Kosovë, nga 11 janari deri më 9 shkurt.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve theksoi në raportin e tij se këto dy medie kanë publikuar rreth 60 artikuj për zgjedhjet në Kosovë, që nga fillimi i janarit, dhe se disa prej tyre kanë pasur një narrativ manipulimi kundër komunitetit serb.
Raporti nuk veçoi ndonjë tekst me “përmbajtje manipuluese”, por Radio Evropa e Lirë i analizoi disa prej tyre.
Theksi vihet kryesisht te Lista Serbe si “mbrojtëse” e interesave serbe në Kosovë, ndërsa autoritetet kosovare dhe kryeministri aktual, Albin Kurti, lidhen me “persekutimin” e serbëve apo “sulmet” ndaj tyre - ndonëse pa asnjë provë që do t’i mbështeste pretendimet e tilla.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive, me bazë në Uashington, thotë për Radion Evropa e Lirë se Rusia ka një histori të gjatë të “operacioneve informative për të ndërhyrë në zgjedhje, për të mbështetur një kandidat të caktuar, për të polarizuar shoqërinë ose për të zvogëluar rëndësinë e demokracisë”.
“Në Ballkan, Rusisë i duhet kaos, në mënyrë që ta përdorë atë në negociatat me Perëndimin, në të cilat [presidenti rus, Vladimir] Putin do të pozicionohej si ndërmjetës dhe do t’i thoshte Perëndimit se, nëse nuk dëshiron që të përshkallëzohet kaosi, ai duhet të negociojë me të. Pra, do ta përdorte si mjet pazaresh”, thotë Stradner.
Ajo shton se Moska “nuk ka nevojë të dërgojë tanke dhe avionë” për të destabilizuar rajonin, por se janë të mjaftueshme “operacionet informative dhe sabotimet”.
Radio Evropa e Lirë i kërkoi Qeverisë së Kosovës komente në lidhje me vlerësimet e Misionit të BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve se RT Ballkan dhe Sputnik Serbia kanë publikuar dhjetëra tekste me përmbajtje manipuluese kundër komunitetit serb, gjatë fushatës parazgjedhore, dhe e pyeti se çfarë është bërë për të parandaluar ndikimin e këtyre mediave, por nuk mori asnjë përgjigje.
Si bëhet manipulimi?
Shkrimi i titulluar “Prishtina llogariti gabimisht - as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”, i publikuar më 28 janar në ueb-faqen Sputnik Serbia, aludon se autoritetet e Kosovës donin “t’i frikësonin” serbët në Kosovë me kokteje molotovi.
Ky narrativ nis që nga fjalia e parë:
“Nuk duhet të çuditemi nëse në Kosovë dhe Metohi vazhdojnë incidentet, me të cilat Prishtina do të tentojë t'i frikësojë serbët dhe Listën Serbe përpara zgjedhjeve të shkurtit, por le të kujtojë se serbët janë popull sfidues”.
Artikull në Sputnik Serbia me titull: “Prishtina llogariti gabimisht - as koktejet e molotovit nuk do t’i trembin serbët”.
Edhe pse ky është një citat që i atribuohet Lluka Jovanoviqit, profesor në Universitetin e Mitrovicës së Veriut, autori i tekstit nxjerr në plan të parë se si “Prishtina përpiqet t’i frikësojë serbët para zgjedhjeve”, ndërsa në paragrafin pasues mund të lexohet se si persona të panjohur kanë hedhur, në fakt, koktej molotovi në makinën e një aktivisteje të Listës Serbe.
Në tekst më tej thuhet se ka ndodhur një “sulm kundër serbëve” dhe se “një akt i tillë duhet parë në kontekstin e dhunës në rritje, të ushtruar nga regjimi i Prishtinës kundër popullatës serbe”.
Aty nuk përmendet askund se Policia e Kosovës ka nisur hetime apo se, një ditë më parë, autorë të panjohur i kanë djegur billbordin Lëvizjes Popullore Serbe - gjithashtu pjesëmarrëse në zgjedhjet në Kosovë - që ndodhej para shtëpisë së kandidates së saj për deputete.
Në artikullin e RT Ballkanit “Çfarë u sjellin zgjedhjet serbëve në Kosovë dhe Metohi: Nga Adem Jashari dhe Hashim Thaçi te Kurti e mbrapa”, i botuar më 30 janar, aludohet se lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, u përpoq t’i “përdorte” Forcat e Sigurisë së Kosovës në një tubim parazgjedhor në Skenderaj, ndërsa më pas konstatohet se “nuk ka ndryshime në qëndrimin e elitave shqiptare dhe në politikën e Prishtinës ndaj serbëve” dhe se synim ka qenë gjithmonë “përzënia” e serbëve nga Kosova.
Aty thuhet se “metodat kanë ndryshuar”, se nuk ka më “rrëmbime, bombardime, vrasje, kampe, heqje organesh, si në kohën e UÇK-së”, por se tani serbët shtyhen në një “eksod të heshtur” përmes “presioneve të vazhdueshme, arrestimeve, akuzave të rreme për krime lufte...”.
Për këto pretendime nuk paraqitet asnjë provë. Nuk përmendet as fakti se forcat serbe kanë kryer krime kundër civilëve shqiptarë, gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë, dhe se për to janë gjykuar disa individë para Gjykatës Ndërkombëtare në Hagë.
Gjithashtu, kurrë nuk është gjetur asnjë provë për “trafikim organesh”.
Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 persona, ndërsa rreth 1.600 persona të zhdukur, kryesisht nga komuniteti shqiptar, janë ende në kërkim.
“Favorizimi i Listës Serbe”
Ka edhe lajme në të cilat Sputnik Serbia dhe RT Ballkan kanë pasqyruar ekskluzivisht fushatën e Listës Serbe, si dhe kanë transmetuar deklarata të zyrtarëve të kësaj partie, duke thënë se vetëm Lista Serbe sjell unitet për serbët në Kosovë, se ajo lufton për mbijetesën e serbëve në kushte të pamundura e të ngjashme.
Ky narrativ mund të shihet edhe në titujt e këtyre lajmeve, disa prej të cilëve janë: “Tubimi përmbyllës i Listës Serbe në Zveçan: Të dielën, referendum i popullit serb në Kosovë dhe Metohi”, “Lista Serbe në Kufcë të Epërme: Në Kosovë dhe Metohi zhvillohet betejë për mbijetesën e serbëve”, “Tubimi i Listës Serbe në Mitrovicë të Kosovës: Të dielën do të fitojnë shteti serb dhe uniteti serb”, “Lista Serbe: Ne i përfaqësojmë interesat e popullit serb, prandaj e shqetësojmë Kurtin”.
Tituj lajmesh në Sputnik Serbia dhe RT Ballkan që pasqyrojnë ekskluzivisht fushatën e Listës Serbe në Kosovë.
Në asnjë tekst në RT Ballkan apo Sputnik Serbia lidhur me zgjedhjet në Kosovë, lexuesi nuk ka mundur të mësonte se, përveç Listës Serbe, në garën për deputetë në Kuvendin e Kosovës kanë marrë pjesë edhe pesë subjekte të tjera politike nga komuniteti serb: Partia Demokracia Serbe, Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, Lëvizja Popullore Serbe, Partia e Serbëve të Kosovës dhe Iniciativa Qytetare Drejtësia Popullore.
Gjithashtu, nuk përmendet askund se deputetët e Listës Serbe kanë qenë të ekspozuar ndaj kritikave nga opinioni dhe kundërshtarët politikë, sepse, në dy vjetët e fundit, i kanë bojkotuar seancat e Kuvendit të Kosovës, duke u paraqitur për nënshkrim çdo gjashtë muaj, vetëm për të ruajtur mandatet dhe pagat.
Për shkak të politikës së bojkotimit të Listës Serbe, pas tërheqjes së saj nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, pushtetin në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës e kanë marrë kryetarët shqiptarë - gjë që ka çuar në protesta të komunitetit serb dhe kriza të shpeshta.
Situata ka kulmuar në shtator të vitit 2023, kur një grup i armatosur i serbëve, i udhëhequr nga ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, ka sulmuar Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë dhe ka vrarë një polic.
Hibrid.info për “teoritë konspirative” të mediave ruse
Në raportin monitorues të keqinformimit për muajin janar, portali Hibrid.info, i cili monitoron dezinformatat për Kosovën në media, shkruan se Sputnik në disa raste gjatë janarit është marrë me teori konspirative dhe se lexuesit janë mashtruar duke besuar se zgjedhjet në Kosovë “kurdisen”.
Një shembull është lajmi i Sputnik-ut më 21 janar, në të cilin përfaqësuesja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, pretendon se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, “ka ndërmend t’i falsifikojë zgjedhjet në Kosovë në dëm të Listës Serbe, si dhe të vendosë në vendet parlamentare kukulla besnike të Prishtinës”.
Për këto pretendime nuk u paraqit asnjë provë
“Me duart e autoriteteve të vetëshpallura të Prishtinës, me bashkëpunimin dhe inkurajimin e Uashingtonit dhe aleatëve të BE-së, vazhdon një fushatë e pamëshirshme për pastrimin e Kosovës dhe Metohisë nga serbët, si dhe për zbatimin e albanizimit të dhunshëm”, tha Zakharova, deklaratën e së cilës, përveç Sputnik-ut, e transmetoi edhe RT Ballkan.
Hibrid.info ka nxjerrë në pah edhe një tekst në Sputnik, në të cilin drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretendon se Kurti synon të krijojë një Kosovë etnikisht të pastër dhe të formojë një “Shqipëri të madhe”.
As për këtë pretendim nuk u paraqit ndonjë provë.
Çfarë shtrirjeje kanë këto media?
RT dhe Sputnik janë nën sanksione në Kosovë, në përputhje me politikën e sanksioneve të Bashkimit Evropian, që u ndërmor pasi Rusia filloi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022.
Kështu që kanalet televizive të këtyre mediave nuk janë të disponueshme në operatorët kabllorë, përfshirë ata në zonat me shumicë serbe në Kosovë, të cilët kryesisht mbulohen nga kompania MTS d.o.o - filial i kompanisë serbe “Telekom”. Kjo kompani doli nga Marrëveshja e Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe është e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës.
Rusia s’ndalet së përgojuari Kosovën
Përndryshe, Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë e, për rrjedhojë, as ndaj mediave ruse të mbështetura nga Kremlini.
Platformat online RT Ballkan dhe Sputnik Serbia nuk ishin të qasshme në Kosovë më 13 dhe 14 shkurt përmes kompanive të internetit që operojnë në Kosovë - Vala, Ipko dhe MTS.
Megjithatë, më 18 shkurt, faqja e internetit Sputnik Serbia ishte e qasshme përmes internetit të të gjithë këtyre operatorëve, ndërsa RT Ballkan mbetej i bllokuar.
Radio Evropa e Lirë kontaktoi Valën, Ipko-n dhe MTS-në për t’i pyetur se si është e mundur qasja në ueb-faqen e Sputnik-ut nëse është nën sanksione nga Qeveria e Kosovës, por nuk mori përgjigje.
Më herët, MTS-ja i ka thënë REL-it se kompania i përmbahet listës për bllokim që i është dërguar nga Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare i Kosovës (ARKEP).
“Edhe pse i jemi përmbajtur rreptësisht listës së ofruar nga ARKEP-i, ne e pranojmë mundësinë e daljes së portaleve të reja që nuk janë pjesë e direktivës fillestare”, ka thënë MTS-ja.
Autoriteti Rregullativ për Komunikime Elektronike dhe Postare thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë ofruesit e internetit dhe operatorët mobilë janë të detyruar t’i bllokojnë faqet e internetit të mediave ruse, në përputhje me sanksionet e vendosura ndaj tyre, por se për shkak të natyrës dinamike të internetit, disponueshmëria e këtyre ueb-faqeve mund të ndryshojë.
“Kjo varet nga masat e zbatuara nga autoritetet vendore, si dhe përdorimi i rrjeteve private virtuale (VPN) ose i serverëve ‘proxy’, të cilët mund t’i anashkalojnë këto kufizime. Mungesa e domeneve të internetit/kodit të vendit (ccTLD) gjithashtu krijon sfida shtesë në këtë proces”, thotë ARKEP.
Misioni i Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve thekson në raportin e tij se shtrirja e RT Ballkanit dhe Sputnik-ut është e kufizuar edhe në mediat sociale, për faktin se ato janë të pranishme vetëm në platformën X, ku postimet e tyre rrallë arrijnë më shumë se 2.000 përdorues.
Megjithatë, këto dy medie janë të disponueshme edhe në kanalet në Telegram, ku përmbajtja e tyre mund të lexohet pjesërisht, pa hyrë drejtpërdrejt në faqet e tyre zyrtare.
Ivana Stradner, bashkëpunëtore në Fondacionin joqeveritar për Mbrojtjen e Demokracive në Uashington, thotë se dëgjon shpesh deklarata se RT dhe Sputnik nuk kanë ndikim në Ballkan, sepse nuk lexohen dhe nuk kanë mjaftueshëm “pëlqime” dhe ndërveprime në rrjetet sociale.
Por, kjo tezë, sipas saj, “bie në ujë”, sepse tekstet e tyre i transmetojnë mediat lokale, blogerët dhe influencuesit përmes rrjeteve të tyre sociale.
“RT dhe Sputnik janë armë të Moskës, përmes të cilave ajo kontrollon ose imponon narrativë. Strategët ushtarakë rusë e thonë hapur se kushdo që ka epërsi informacioni, do ta fitojë luftën. Dhe, Perëndimi tashmë është në një luftë informacioni me Moskën, por edhe me Iranin dhe me Kinën”, thotë Stradner.
Organizata Reporterët pa Kufij, në raportin e vitit të kaluar me titull “Nga Rusia në Serbi: Si RT-ja përhap propagandën e Kremlinit në Ballkan, pavarësisht sanksioneve të BE-së", theksoi se përmbajtja e RT Ballkanit citohet në mediat në Serbi, përfshirë edhe në transmetuesin publik - Radio Televizionin e Serbisë.
“RT citohet si një burim i besueshëm i lajmeve në lidhje me Rusinë dhe, si rezultat, RT Ballkan funksionon si agjenci shtetërore e lajmeve, e ngjashme me TASS-in e Rusisë”, thuhej në raport.
Rusia nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por ka zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë që nga viti 2005. Megjithatë, aktivitetet e kësaj zyre nuk janë të njohura për publikun.
A u besojnë serbët e Kosovës mediave ruse?
Qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se dikur ndiqnin RT Ballkanin dhe Sputnik-un në internet, por se nuk janë më të disponueshëm.
Nenadi thotë se asnjëherë nuk u ka besuar plotësisht mediave të mbështetura nga Kremlini, por se nuk u beson as mediave të caktuara të mbështetura nga vendet perëndimore.
“Sidomos në këto momente, marrë parasysh tablonë globale. Të dyja palët bëjnë propagandë”, thotë ai.
Aleksandri thotë se kur ka mundur, e ka ndjekur Sputnik-un në Serbi. Sipas tij, është jodemokratike që të privohet qasja në të.
“Unë mendoj se Sputnik-u është demokratik, sepse i transmeton të gjitha palët. Pastaj, u takon njerëzve t’i besojnë ose jo”, thotë ai.
Stefani thotë se derisa nuk kanë qenë të ndaluar, i ka hapur herë pas here Sputnik-un dhe dhe RT Ballkanin, por se nuk i ka ndjekur rregullisht.
“Gjithmonë, çdo gjë shikoj me një grimë dyshimi, por varet edhe nga lajmet... Do t’i bëja kërkimet e mia në media të tjera dhe ndoshta më pas do të dilja në një përfundim”, thotë ai.
Reporterët pa Kufij mbi themelimin dhe ndikimin e RT Ballkanit
Në raportin e vitit 2024, organizata Reporterët pa Kufij vlerësoi se njoftimi në rrjetin X i kryeredaktores së RT-së, Margarita Simonyan, la të kuptohej motivin e medias për t'u zgjeruar edhe në Serbi.
“E kemi nisur RT-në në Ballkan. Sepse Kosova është Serbi”, tha në njoftimin pas hapjes së RT Ballkanit, më 15 nëntor, 2022.
Reporterët pa Kufij thanë, gjithashtu, se në shtator të vitit 2024 i kanë dërguar një pyetësor këtij mediumi, në lidhje me misionin në Ballkan, por, siç thanë, ata kanë marrë një përgjigje sarkastike: “E kemi themeluar RT Ballkanin me një qëllim - për të mërzitur Reporterët pa Kufij”.
“Përgjigjja provokuese, politike tregon se si RT-ja pozicionohet si antitezë e një organizate që mbron median e pavarur. RT-ja, gjithashtu, nuk dëshiron të zbulojë informacione në lidhje me misionin ose marrëdhëniet e saj me qeverinë, të cilat mediat e pavarura - siç pretendon se është ky medium rus - duhet të jenë në gjendje t’i ofrojnë”, thanë në raportin e tyre Reporterët pa Kufij.
Si të ndalohet ndikimi i Rusisë përmes mediave?
Stradner thekson se Rusia “i njeh shumë mirë pikat e ndjeshme në rajon” dhe se “me qejf përdor rolin e fesë dhe të tensioneve etnike në operacionet e saj”.
“Përmes rritjes së tensioneve, qëllimi është të krijohet kaos në rajon, sidomos në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në Kosovë”, thotë ajo.
Stradner shton se ndikimi i Rusisë nuk do të bjerë, megjithëse “shumëkujt në Perëndim i pëlqen të fantazojë për këtë”.
“Së voni, RT-ja hapi edhe një stacion televiziv. Operacionet informative në Telegram, që unë i ndjek, vetëm se rriten, ndërsa Moska e ka përshtatur strategjinë e saj, duke u marrë më shumë me ndikimin te blogerët e influencuesit në rrjetet sociale në Ballkan, në mënyrë që ata t’i përhapin narrativët e saj”, thotë Stradner.
Për të parandaluar dezinformimin nga Rusia, Perëndimi duhet të dërgojë ekipe kundër luftës hibride, thotë ajo, duke shtuar se Moska nuk i ndjek rregullat që ekzistojnë në hapësirën e informacionit, “sepse nuk është demokraci”.
Në këtë kontekst, ajo thekson se vendet perëndimore duhet të investojnë më shumë në edukimin e të rinjve dhe në mediat e lira, si dhe t’i ndëshkojnë liderët dhe subjektet në rajon që kontrollojnë lirinë e mediave dhe përhapin dezinformata. /REL