Qytetarët mes shpresave të dikurshme dhe sfidave të sotme
Foto: Laura Hasani

Qytetarët mes shpresave të dikurshme dhe sfidave të sotme

Aktuale February 17, 2025 - 17:03

Më 17 shkurt, 17 vjet më parë, mot i acartë në Kosovë. Temperatura pasdite shënonte rreth minus 11 gradë Celsius.

Rrugët e Prishtinës ishin të mbushura me mijëra qytetarë, që kishin arritur nga të gjitha anët e vendit, por edhe jashtë tij.

Objektet e institucioneve të Kosovës, Qeverisë dhe Kuvendit, vlonin përbrenda. Seancë e jashtëzakonshme parlamentare.

Në orën 15:39 minuta, liderët institucionalë shpallën Kosovën shtet të pavarur dhe sovran.

Deklaratën e pavarësisë e votuan të 109 deputetët e pranishëm në seancë, të cilët i vendosën nënshkrimet e tyre në një pergamenë ku ishte shkruar ajo.

Brenda ndërtesës së Qeverisë, artistët bashkë me drejtuesit institucionalë koordinoheshin për koncertin festiv të asaj nate.

Pjesë e atij organizimi ishte edhe aktori kosovar, Fatmir Spahiu, tash 43-vjeçar.

Ai kujton se menjëherë pas momentit solemn të shpalljes së pavarësisë, vrapoi drejt shtëpisë së tij në Prishtinë për ta marrë djalin, atëkohë dhjetë muajsh.

Ai thotë se dëshironte ta materializonte kujtimin e momentit për të dy brezat.

“Kam shkuar e kam marrë djalin, vetëm sa për ta bërë një fotografi që ta kisha kujtim me djalin foshnje. Kjo ka qenë një mënyrë se si jam munduar ta manifestoj krejt atë gëzim”, thotë Spahiu për Radion Evropa e Lirë.

Spahiu shton se, asokohe, pritjet për zhvillimin e vendit kanë qenë të mëdha, por, sipas tij, nuk janë realizuar krejtësisht.

“Ata që do të lexojnë historinë e Kosovës, do të thonë: ‘sa shpejt, çfarë zhvillimi i mirë, çfarë ndryshimi’. Mirëpo, për ne që po e jetojmë këtë periudhë, ka probleme. Ekonomia është akoma përtokë, shëndetësia është katastrofale, sistemi arsimor lë shumë për të dëshiruar. Nuk kemi përparime thelbësore të dukshme”, thotë Spahiu.

Në qytetin e Ferizajt, 17 vjet më parë, familja e Albulena Avdylit ishte mbledhur para ekranit të televizionit, për të parë transmetimin e drejtpërdrejtë të momentit të shpalljes së pavarësisë së vendit në Kuvendin e Kosovës.

Albulena thotë për Radion Evropa e Lirë se të gjithë kishin përjetuar emocion të fortë gëzimi.

“Ka qenë ndjesi shumë e mirë, sepse shumica e kanë përjetuar si diçka të paharrueshme, si diçka që nuk përsëritet... E kanë përjetuar një ëndërr që po bëhej realitet”, thotë ajo.Por, në 17 vjetët që pasuan, thotë se përparimi i vendit ka qenë i kufizuar. Sipas saj, politikanët shprehin ambicie për zhvillimin e vendit vetëm nëpër fushata zgjedhore.

“... pastaj i ndalin, nuk po kanë shumë ambicie sikur para zgjedhjeve. Po shpresoj që në të ardhmen të punojnë më shumë”, shprehet ajo.

Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt, 2008, Sherif Krasniqi, tash pensionist, kujton se e priti në sheshin kryesor të Prishtinës, bashkë me mijëra qytetarë të tjerë.

Atë moment thotë se e kishte pritur tërë jetën e tij.

“Ka qenë diçka shumë hyjnore për ne. Kemi menduar se për një kohë shumë të shkurtër do të bëhemi vendi më i lakmuar për të gjithë”, thotë Krasniqi.Por, sipas tij, nuk ndodhi kështu. Ai shprehet i zhgënjyer me politikëbërësit, që, siç thotë, i kanë dhënë përparësi luftës për pushtet, para zhvillimit të vendit.

“Unë nuk jam i kënaqur, për një shkak. E kam një djalë. Më është dashur që para 15 vjetësh t’i them ‘merre botën në sy e jetoje jetën’, sepse e kam parë që ata që i kanë zënë karriget, nuk i lëshojnë. Të luftojmë me ta, ne nuk mundemi”, thotë Sherifi për Radion Evropa e Lirë.

Për Nazlie Balën, aktiviste politike nga Prishtina, ndjesia e gëzimit që ka përjetuar 17 vjet më parë, në momentin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, është e papërshkrueshme.

“Për mua, e rëndësishme është liria. Për mua, i rëndësishëm është shteti. Natyrisht që shtetin e çon përpara shoqëria. As atëherë e as tash nuk pres më shumë përveç hapave realë, politikës pragmatike dhe zhvillimit shoqëror”, thotë Bala.

Në vitet pas pavarësisë, sipas saj, ka pasur mjaft ndryshime pozitive në vend dhe në to, siç shprehet, ka ndikuar vetë shoqëria kosovare - përpara politikanëve dhe drejtuesve institucionalë.“Është shtëpia jonë e përbashkët. Aty ku secili anëtar i familjes kontribuon në zhvillimin, emancipimin dhe edukimin e shtëpisë, aty ka prosperitet”, thotë Bala.

Bashkë me deputetët shqiptarë, 17 vjet më parë, deklaratën e pavarësisë së Kosovës e nënshkruan edhe ata të komuniteteve joshumicë, përveç dhjetë deputetëve të komunitetit serb, të cilët e bojkotuan seancën solemne të 17 shkurtit, 2008.

Çfarë thonë pjesëtarët e komuniteteve joshumicë?

Për Millijanën, pjesëtare e komunitetit serb, e cila jeton në Graçanicë, data 17 shkurt, 2008, kur u shpall pavarësia e Kosovës, nënkupton “më të keqen”.

Sipas saj, pozita e serbëve vetëm se është përkeqësuar gjatë 17 vjetëve të fundit. Në këtë kontekst, ajo përmend heqjen e dinarit serb nga përdorimi dhe mbylljen e institucioneve serbe që funksiononin nën sistemin e Serbisë në Kosovë - hapa këta që u morën nga autoritetet e Kosovës, viteve të fundit.

“Gjithçka ndryshoi për më keq dhe asgjë për më mirë. Para së gjithash, ne nuk kemi ku të tërheqim para [në dinarë nga buxheti i Serbisë]. Ne shkojmë në Serbi, e paguajmë vetë udhëtimin dhe gjendemi vetë. Jeta këtu është e tmerrshme”, thotë Millijana.

Ajo shton se as liria e lëvizjes nuk është “për lëvdata”. Në Kosovë thotë se nuk sheh perspektivë, por se nuk ka ku të shkojë.

Ndryshe mendon Orhan Llopar nga Prizreni, pjesëtar i komunitetit turk. Për të, Kosova sot është një vend më i mirë se 17 vjet më parë, kur ishte shpallur shtet i pavarur.Megjithatë, shton se komuniteti i tij mund të zhvillohet edhe më shumë në kuadër të shtetit.

“Jemi pjesërisht të kënaqur, për shkak se, fatkeqësisht, në disa situata po e humbim atë që e kemi të garantuar me ligj, sepse disa nga shqiptarët nuk e duan këtë. Duhet ta dinë se ky është shtet shumetnik dhe se nuk janë vetëm shqiptarët këtu. Po të mos ishte shumetnike, Kosova nuk do të ishte e tillë çfarë është”, thotë Llopar dhe shton:

“Më pëlqen flamuri [i Kosovës]. Ajo që nuk më pëlqen është ekonomia”.

Flamuri i Kosovës, në sfondin e tij të kaltër mban hartën e Kosovës me ngjyrë të verdhë dhe gjashtë yje të bardhë mbi të, që simbolizojnë komunitetet që jetojnë në vend.

Ismail Ramoviq nga Prizreni, pjesëtar i komunitetit boshnjak, thotë se Kosova e sotme, në disa aspekte, është ajo që e kishte menduar 17 vjet më parë, por jo në të gjitha.

“Shteti i Kosovës ka bërë mjaft për komunitetin boshnjak, në segmentin e mbrojtjes ligjore. Kjo është e rëndësishme”, thotë Ramoviq.Ai kujton se komuniteti boshnjak e ka të garantuar sistemin arsimor që nga niveli parashkollor e deri në atë universitar, si dhe është i përfaqësuar në institucionet shtetërore sipas ligjit.

“Të gjitha këto i japin shansin dhe mundësinë që të afirmohet brenda shoqërisë kosovare. Se a e kemi shfrytëzuar këtë, ky është rrëfim tjetër”, shprehet ai, duke kritikuar politikanët boshnjakë se “nuk kanë qenë efikasë për të ndikuar në zhvillimin e komunitetit boshnjak në Kosovë”.

Osman Osmani nga komuniteti rom thotë se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, ai ka pritur ndryshime të mëdha pozitive.Në komunën e Prizrenit, ku ai jeton, gjuha rome është zyrtare.

“Kjo është një nga gjërat pozitive”, thotë ai.

“Por, ka mjaft gjëra që do të duhej të ndryshonin: pozita sociale e komunitetit rom, arsimi, punësimi, shëndetësia. Të gjitha këto çështje vazhdojnë të jenë mjaft të rëndësishme për zgjidhjen e pozitës së komunitetit rom”, sipas tij.

Shënimi i 17-vjetorit të pavarësisë, Kosovën e gjen me qeveri funksionale, por në largim e sipër, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Ndonëse Qeveria aktuale, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, thekson se ka marrëdhënie të mira me partnerët e saj perëndimorë, këta të fundit e kanë kritikuar shpesh për veprime të pakoordinuara në komunat me shumicë serbe, të tilla si heqja nga përdorimi e dinarit serb apo mbyllja e institucioneve serbe, nga të cilat komuniteti, me vite, ka marrë shërbime të ndryshme.

Për shkak të këtyre veprimeve, Kosova është edhe nën disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, të cilat përfshijnë pezullimin e disa fondeve dhe të takimeve në nivel të lartë.Gjatë 17 vjetëve pavarësi, vendi ka arritur të bëhet pjesë e disa organizatave ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Evropiane për Rindërtim e Zhvillim, Federata Evropiane dhe ajo Botërore e Futbollit, por ka dështuar në UNESCO, Interpol e Këshill të Evropës.

Sot, është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor që nuk është kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Njihet nga rreth 117 vende të botës, por jo edhe nga dy vendet e rajonit, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, e as nga pesë vende të BE-së: Greqia, Spanja, Qiproja, Sllovakia dhe Rumania.

Me 1.6 milion banorë, Kosova ka shkallën e papunësisë rreth 10 për qind, dukshëm më të ulët se 17 vjet më parë kur ishte mbi 47 për qind.

Rritja ekonomike mbetet nën 5 për qind, ndërsa paga mesatare në vend është rreth 570 euro.