Hoti: Pavarësia u arrit me sakrifica, Serbia të hapë arkivat shtetërore me informatat për të zhdukurit

Hoti: Pavarësia u arrit me sakrifica, Serbia të hapë arkivat shtetërore me informatat për të zhdukurit

Aktuale February 17, 2025 - 16:49

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjeturit, Andin Hoti, me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, ka kujtuar sakrificat e gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe të drejtën tonë për të jetuar të lirë dhe të pavarur.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Hoti ka publikuar edhe letrën drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallah, përmes të cilës kërkohen hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës.

Në letër, kërkohet:

– Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.

– Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë.

– Llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj.

Më tej, Hoti shkruan se Pavarësia jonë është arritur me sakrifica të mëdha dhe ne nuk mund të lejojmë që viktimat e gjenocidit të harrohen apo të mohohet e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën.

“Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve. Kosova ka ndërtuar paqen mbi drejtësinë dhe të vërtetën, dhe nuk do të ndalemi deri sa secili i zhdukur të kthehet tek familja e tij dhe Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera. Lavdi të rënëve për liri! Nderim për të zhdukurit me dhunë! Gëzuar Pavarësinë, Kosovë”, ka shkruar ai.