
Rama pajtohet me Grenellin për Thaçin: Sa më shumë të mbahet në burg, aq më e madhe njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është pajtuar “absolutisht” me të dërguarin presidencial të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për misioni speciale, Richard Grenell, i cili tha se mbajtja në paraburgim e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi është padrejtësi e rëndë e cila duhet të marrë fund.
“Absolutisht! Dhe sa më shumë të vazhdojë, aq më e madhe është njolla në organin ndërkombëtar të drejtësisë”, shkroi kryeministri shqiptar në X, duke shpërndarë postimin e zyrtarit të lartë amerikan.
Ndërsa i uroi kosovarët për 17-vjetorin e pavarësisë, Grenelli kujtoi “padrejtësinë e rëndë” që tha se po i bëhet “atit themelues të shtetit të Kosovës”, Hashim Thaçit.
“Megjithatë, ky përvjetor është i errësuar nga një padrejtësi e rëndë. Ati themelues i shtetësisë së Kosovës, Presidenti Hashim Thaçi, duhet ta festonte sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, shkroi ai ndër të tjera.
Evropianët, por edhe institucionet shtetërore të Kosovës, ai tha se kanë dështuar t’i japin fund “kësaj padrejtësie”.
Absolutely! And the more it continues, the bigger the stain on the international justice body! pic.twitter.com/iLsFPBogW7
— Edi Rama (@ediramaal) February 17, 2025