Grenell: Ky përvjetor i Pavarësisë i errësuar nga padrejtësia e rëndë që po i bëhet Thaçit, burgosja e tij duhet të marrë fund
Foto: Laura Hasani

Grenell: Ky përvjetor i Pavarësisë i errësuar nga padrejtësia e rëndë që po i bëhet Thaçit, burgosja e tij duhet të marrë fund

Aktuale February 17, 2025 - 12:07
Grenell: Thaçi duhet të festojë sot në Prishtinë, jo pas hekurave në Hagë

Emisari amerikan për misione të veçanta Richard Grenell, ka uruar të gjithë miqtë në Kosovë për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Por ai në këtë përvjetor nuk ka lënë pa përmendur ish-presidentin Hashim Thaçi, që sipas tij po mbahet padrejtësisht në Hagë.

“Megjithatë, ky moment historik është lënë në hije nga një padrejtësi e rëndë. Babai themelues i shtetësisë së Kosovës, presidenti Hashim Thaçi, duhet të festojë sot në Prishtinë – jo pas hekurave në Hagë”, shkroi ai.

Sipas tij, evropianët nuk kanë arritur të veprojnë kundër kësaj padrejtësie në 5 vitet e fundit.

“Dhe institucionet shtetërore të Kosovës kanë dështuar të ndërmarrin veprimet e nevojshme ligjore për t'i dhënë fund kësaj padrejtësie - për shkak të politikës. Ky burgim i padrejtë duhet të marrë fund”, tha ai, duke përmendur edhe ish-prokurorin Jack Smith.

“I çmenduri Jack Smith është duke u kthyer në Hagë ku mund të ekzekutojë njerëz. Këtu duhej të qëndronte. Unë… mendoj se ai është i rrezikshëm edhe atje”, deklaronte Trumpi.

Smithi është prokurori që i akuzoi për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi po mbahen ende në paraburgimin e Gjykatës Speciale në saje të asaj aktakuze. Atje qëndrojnë edhe ish-komandantë e ish-ushtarë të UÇK-së për akuza të ngjashme. Disa tashmë janë dënuar.