Videnoviq thotë se Vuçiqi po e shfrytëzon pakicën serbe në Kosovë për agjendën e tij politike

Videnoviq thotë se Vuçiqi po e shfrytëzon pakicën serbe në Kosovë për agjendën e tij politike

Aktuale February 16, 2025 - 10:45

Protestat studentore në Serbi, që po zgjasin për muaj të tërë nuk janë të orkestruara nga grupe të jashtme, por rezultat i një pakënaqësie të thellë ndaj korrupsionit dhe mungesës së shtetit ligjor nën pushtetin e Aleksandar Vuçiqit në Serbi, thotë politikani liberal serb dhe profesori i Universitetit të Beogradit, Ivan Videnoviq.

Në një intervistë për The Geopost, Videnoviq thekson se zbatimi i ligjit është kërkesa kryesore e studentëve që po protestojnë duke kërkuar përgjegjësi për rrëzimin e çatisë në një stacion të trenit në Novi Sad, që la të vdekur 15 persona.

Sipas tij, Rusia mbështet qeverinë e Vuçiqit, e cila ende refuzon të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të BE-së. Ndërsa kritikon Kinën për shfrytëzimin e mundësive korruptive në Serbi, duke marrë prona dhe pasuri përmes marrëveshjeve sekrete dhe jotransparente.

Ai flet po ashtu mbi ndikimin e qeverisë aktuale të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, mundësitë e opozitës dhe qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj situatës politike në Serbi.

“Është shumë e qartë se Rusia po e mbështet qeverinë e Vuçiqit. Deri në çfarë mase, deri në çfarë mase po shkon kjo mbështetje, është e vështirë të thuhet, por për momentin i përshtatet qëndrimit të Vuçiqit, i cili ende po refuzon të akomodohet plotësisht dhe të përafrohet plotësisht me politikën e jashtme të Bashkimit Evropian. Kina është shfrytëzuese e mundësive korruptive për të marrë, në mënyrë korruptive, punë të caktuara, madje edhe disa pronësi, disa pasuri të paluajtshme, disa miniera, disa toka në Serbi, përmes këtyre marrëveshjeve sekrete, që nuk e di, janë miqësore, vëllazërore, kjo e ajo, por në fund të fundit, sigurisht që janë jotransparente”, thotë ai.

Videnoviq thotë se Vuçiq po e përdor pakicën serbe në Kosovë si mjet për agjendën e tij politike.

“Po, ajo që kemi parë tani në veri të Kosovës është se qytetarët e veriut ende e shohin Listën e tij Serbe si një lloj garantuesi të sigurisë. Thjesht do të thotë se në popullin e veriut të Kosovës ende nuk është pjekur vetëdija se munden, se kanë lirinë, se kanë mundësi dhe hapësirë të organizohen politikisht dhe të përfaqësojnë interesat e tyre në mënyrën më të mirë të mundshme në Kuvendin e Kosovës. Ata janë ende të kapur pas qëndrimit disi mbrojtës të Serbisë ndaj tyre. Është shumë e qartë se ka ende punë për të bërë për këtë, megjithëse nuk është plotësisht e sigurt, megjithëse mendoj se në këto zgjedhje morën pjesë gjashtë lista të ndryshme serbe, ose më mirë gjashtë grupe, nuk është plotësisht e qartë nëse këto grupe, në masën që ofrojnë një politikë alternative, u ofrojnë atyre grupeve që janë treguar sërish mjaft të fortë për të sfiduar Listën Serbe. Deri më tani në këtë krizë, nuk e kam parë Vuçiqin duke përdorur qytetarët e veriut të Kosovës si rrugëdalje”, tha Videnoviq.