![Komandant “Shkupi” në Mëngjesin e lutjeve me uniformën e veteranit të UÇK-së](/uploads/zeri.info/images/2025/February/16/auto_f1739694813.jpg)
Komandant “Shkupi” në Mëngjesin e lutjeve me uniformën e veteranit të UÇK-së
Ferid Berisha, i njohur ndryshe si Komandant “Shkupi”, i njësisë së dikurshme “Tigrat e Zi”, ka marrë pjesë në mëngjesin kombëtar të lutjeve në SHBA, i veshur me uniformën e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ai ka shkruar se ishte i prekur thellë nga respekti dhe mirënjohja e njerëzve që nuk e njihnin, por e falënderonin për shërbimin e tij ushtarak, duke dëshmuar se sakrifica për liri është e njohur dhe e vlerësuar kudo.
![Image](https://zeri.info/uploads/zeri.info/images/2025/February/16/auto_f11739694816.jpg)
“Me zemër plot krenari dhe mirënjohje, dua t’ju informoj për përjetimet e jashtëzakonshme që pata në këto ditë historike. Ishte një nder i madh të merrja pjesë në National Prayer Breakfast, i veshur me uniformën e Veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më preku thellë respekti dhe mirënjohja e njerëzve që nuk më njihnin, por më thonin “Thank you for your service”, duke dëshmuar se sakrifica për liri është e njohur dhe e vlerësuar kudo. Po aq emocionues ishte edhe momenti kur në Detroit ngritëm flamurin kombëtar të Shqipërisë, një simbol i krenarisë dhe unitetit tonë kombëtar. Flamuri valoi lart, ashtu siç ka valuar ndër shekuj në zemrat e shqiptarëve kudo në botë.Së fundmi, pjesëmarrja në festën e Pavarësisë së Kosovës në City Hall New York ishte një përjetim i paharrueshëm. Të festojmë së bashku këtë arritje të madhe është një kujtesë e fuqishme e sakrificave dhe ëndrrës së realizuar për një Kosovë të lirë e të pavarur”, ka shkruar ai, duke falënderuar të gjithë ata që mundësuan rrugëtimin e tij.
Ferid Berisha i njohur si komandant Shkupi, ishte vetëm 31 vjeçar kur vendosi të kthehej në Kosovë për të luftuar kundër forcave serbe.
Shkupi u kthye nga Holanda pas ngjarjeve që ndodhën në Prekaz kur ra heroikisht gjithë familja Jashari.
Komandant Shkupi drejtoi njësinë elitare të UÇK-së e njohur si “Tigrat e Zi” që futi tmerrin tek ushtria dhe policia serbe.