![Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit e 41 të tjerëve mbetet në sirtar të gjykatës](/uploads/zeri.info/images/2025/February/15/auto_ola1739653866.jpg)
Aktakuza ndaj Milan Radoiçiqit e 41 të tjerëve mbetet në sirtar të gjykatës
Kanë kaluar mbi 150 ditë nga ngritja e aktakuzës më të bujshme në Kosovë, atë për rastin e sulmit terrorist në Banjskë, në të cilin u vra një zyrtar policor.
Përvec tre personave që janë në paraburgim, për gjykimin e 42 të tjerëve që nuk janë të arritshëm për drejtësinë e Kosovës, nuk dihet se si do të vazhdohet.
Gjykata Themelore në Prishtinë, ende nuk ka vendosur për ta, e për të vazhduar me gjykimin ndaj Blagoje Spasojeviq, Vladimir Toliq e Dushan Maksimoviq është në pritje të Apelit.
“Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se lidhur me tre të pandehurit në këtë çështje penale, lënda gjendet me ankesë në Gjykatën e Apelit, ndërsa lidhur me çështjen e gjykimit në mungesë, ende nuk është marr vendim nga Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë.”– Gjykata Themelore në Prishtinë.
Ish kryetari i gjykatës së Apelit, Hasan Shala thotë se gjykata Supreme është dashur të sqarojë të gjitha dilemat, dhe se për Kosovën e sistemin e drejtësisë është e rëndësishme që ky rast të marr formë të prerë.
“Gjykata Supreme nuk e ka dhënë mendimin që me i ndihmu gjyqtarit, është dashur të jetë shumë konciz dhe ta thotë fjalën e vet si institucioni më i lartë në sistemin e drejtësisë, kështu që të thotë po ka drejtë gjykohet ose jo, por ajo ka dhënë kompromision më të keq, gjyqësorit nuk i lejohet një kompromis i tillë”, ka thënë Hasan Shala – Ish kryetar i Gjykatës së Apelit.
Ndërkohë që Gzim Shala nga IKD, thotë se sistemi i drejtësisë nuk ka se cfarë të bëjë në situatën që është por ndërkombëtarët duhet të rrisin presionin karshi Serbisë.
“Duke pasur parasysh afatet e kodit të procedurës penale dhe ndërlikueshmërinë e këtij rasti nuk mund të themi që kemi rënë në vonesë, sa i përket trajtimit të këtij rasti sa i përket personave të tjerë që janë të paarritshëm për drejtësinë gjykimi për të njëjtit është veçuar dhe mund të vazhdoj vetëm kur të jenë të arritshëm për drejtësinë, aktualisht sistemi i drejtësisë nuk ka çfarë të bëjë, dhe është shumë e rëndësishme që bashkësia të bëjë presion te shteti serb, që Serbia të mos shfrytëzohet si parajsë e kriminelëve.”, ka thënë Gzim Shala – Hulumtues në IKD.
Gjyqtari Arben Hoti, në seancën fillestare vendosi të veçojë procedurën, ndaj 42 personave që janë në arrati, e të kërkoj mendim nga Gjykata Supreme, por që kjo e fundit e la në dorë të gjyqtarit të vendos për këtë.
Milan Radoiçiq, si lider i grupit, e 44 persona të tjerë, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës, për vepra penale kundër rendit kushtetues të Kosovës, e për vepra penale të terrorizmit. /Dukagjini