![Vendimi i OVL-UÇK-së për të mos bashkëpunuar me qeverinë, Çitaku – veteranëve: Festoni, politikanët janë të përkohshëm](/uploads/zeri.info/images/2025/February/12/auto_auto_Vlora_Citaku-PDK-konf-7_janar_2024a-Laura_Hasani_copy17370235461739379088.jpg)
Vendimi i OVL-UÇK-së për të mos bashkëpunuar me qeverinë, Çitaku – veteranëve: Festoni, politikanët janë të përkohshëm
Sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku, u ka bërë thirrje veteranëve të UÇK-së të festojnë për nder të Pavarësisë së Kosovës, pas vendimit të tyre për të mos bashkëpunuar me qeverinë në aktivitetet e organizuara për 17 shkurt.
Përmes një postimi në Facebook, ajo u drejtohet veteranëve duke u thënë të festojnë, pasi siç shkruan Çitaku, politikanët dhe qeveritë janë të përkohshme. “Ju jeni të përhershëm”, ka shkruar ajo/
Postimi i plotë:
17 Shkurti është kurorëzimi i ëndrrave tona shekullore, i sakrificës së panumërt brez pas brezi. Është dita kur mbi dhimbjen tonë u ngrit flamuri i pavarësisë, kur mbi plagët e luftës u ndërtua shteti ynë i shumëpritur.
Të nderuar veteranë, i kuptoj dilemat tuaja. Si mund të festosh me ata që të kanë mohuar? Si mund të gëzosh me ata që të kanë quajtur mercenar? Si mund ta ndash festën me ata që për vite të tëra të kanë trajtuar si barrë, e jo si themel të kësaj lirie?
Por, veteranë të nderuar, ju që dhatë gjithçka, ju që keni mbetur me plagë në trup e shpirt – kjo është festa juaj! Kjo nuk është festa e politikës, e as e atyre që sot ndajnë popullin e Kosovës në “të mirë” e “të këqij”. Kjo është festa e të gjithë atyre që sakrifikuan; e nënave që nuk panë më kurrë djemtë e tyre; e atyre që luftuan me armë, me fjalë, me guxim e me shpresë.
Feston ose jo, zemra jote di pse.Dhe askush s’mund t’jua marrë meritat. Askush s’mund t’jua zbehë luftën. Askush s’mund t’jua shuajë dhimbjen.
Lutja ime për ju, me përulësi, është: festoni! Politikanët dhe qeveritë janë të përkohshme. Ju jeni të përhershëm.
Pak rëndësi ka nëse jeni pjesë e ceremonive qeveritare. Ju, ju festoni!
Lavdi të rënëve për liri! Respekt i thellë për ju, që e bëtë këtë ditë të mundshme!