Për herë të parë, në veriun e Mitrovicës mbahet panairi që prezanton trashëgiminë kulturore shqiptare

Për herë të parë, në veriun e Mitrovicës mbahet panairi që prezanton trashëgiminë kulturore shqiptare

Aktuale February 15, 2025 - 13:16

Panairet që prezantojnë trashëgiminë kulturore shqiptare, në Mitrovicë gjithmonë kanë zënë vend të rëndësishëm dhe janë mirëpritur nga qytetarët e kësaj zone.

Por, kësaj radhe është hera e parë që në veriun e Mitrovicës u mbajt një panair i tillë, shkruan Telegrafi.

Ky panair u quajt “Trashëgimia kulturore, vlera që na bashkon” dhe ishte tre ditor.

Image

Drejtoresha e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica”, Melihate Beshiri në një prononcim për Telegrafin ka thënë se në këtë panair janë prezantuar veshje dhe ushqime tradicionale.

Panairi “Trashëgimia kulturore, vlera që na bashkon” në veriun e Mitrovicës

Beshiri ka thënë se të gjitha komunitetet ishin të ftuara të marrin pjesë në panair. Sipas saj, komuniteti serb nuk ishte i pranishëm edhe pse ishte i ftuar.

“Të gjitha komunitetet kanë qenë të ftuara. Komuniteti serb nuk ka ardhur edhe pse ka qenë i ftuar”, është shprehur ajo.

Ajo ka shtuar se panairi është mirëpritur nga të gjithë, derisa ka theksuar se ka pasur edhe nga komuniteti serb që kanë shijuar ushqimet shqiptare tradicionale.

“Panairi ka qenë i mirëpritur si nga ana e shqiptareve dhe e serbve, kështu që kemi pasur edhe klientë serb që kanë shijuar produktet tona për shembull turshi, bakllava, pite dhe fli”, ka potencuar Beshiri.

Image

Beshiri ka deklaruar se panairi është mbështetur nga Komuna e Mitrovicës Veriore, transmeton Telegrafi.

Panairi “Trashëgimia kulturore, vlera që na bashkon” në veriun e Mitrovicës

Ajo ka potencuar tutje se gjatë këtyre tre ditëve nuk kanë pasur ndonjë vështirësi dhe se gjithçka ka shkuar në rregull.

“Jo, nuk ka pasur vështirësi. Shumë mirë kemi kaluar, sfida nuk kemi pasur, gjithçka ka qenë në rregull”, ka përfunduar drejtoresha e organizatës jo-qeveritare “Business Women Mitrovica”, Melihate Beshiri.