Çitaku për Specialen pasi ia refuzoi vizitën Thaçit: Kjo s’është drejtësi, kjo s’është njerëzi

Çitaku për Specialen pasi ia refuzoi vizitën Thaçit: Kjo s’është drejtësi, kjo s’është njerëzi

Aktuale February 14, 2025 - 14:02

Vlora Çitaku ka reaguar pasi Gjykata Speciale ia ka refuzuar kërkesën e ish-presidentit Hashim Thaçi për të vizituar babanë e tij, i cili është i shtrirë në spital.

Çitaku e cila ka publikuar fotografi të Thaçit me prindërit e tij, ka kritikuar Specialen për refuzimin e ftesës, ndërsa ka thënë se kjo që po bën kjo gjykatë nuk është drejtësi, as njerëzi, transmeton Zeri.info.

Shkrimi i plotë i Çitakut:

Gjykata Speciale paska deklaruar që nuk ka arsye të mjaftueshme për ta liruar për vizitë Presidentin Thaçi. Se baca Haxhi, i shtrirë në shtrat, duke luftuar me dhimbjen dhe moshën, nuk qenka “mjaftueshëm” i sëmurë.

Sa më shumë duhet të vuajë një baba që t’i njihet dhimbja? Sa duhet të rëndohet shëndeti i tij që ta quajnë “boll”? A ka një matës për dhimbjen e prindit që pret të shohë të birin para se të mbyllë sytë?

Kjo nuk është drejtësi! Kjo nuk është njerëzi!

Një zemër e lodhur pret të rrahë edhe një herë me shpresën e një përqafimi të fundit.

Por edhe këtë të drejtë ia mohojnë.

Historia do të gjykojë edhe këto padrejtësi.