![Kadri Veseli proteston duke u ngritur në këmbë në Speciale pasi avokati i tij e kritikon gjyqtarin për njëanshmëri](/uploads/zeri.info/images/2025/February/13/auto_image-59-600x3601739463453.png)
Kadri Veseli proteston duke u ngritur në këmbë në Speciale pasi avokati i tij e kritikon gjyqtarin për njëanshmëri
Sot në Gjykatën Speciale për rastin Thaçi dhe të tjerët ka dëshmuar ish-komandanti, Sylejman Selimi. Kjo seancë e sotme s’ka kaluar pa tensione në mes të ekipeve mbrojtëse dhe panelit të gjyqtarëve.
Ka qenë avokati mbrojtës i Kadri Veselit, i cili para se të futej dëshmitari në sallë për të vazhduar dëshminë, ka pyetur gjyqtarin e Dhomave të Specializuara, se çfarë ka ndodhur me mocionin e dorëzuar në nëntor të vitit 2024, ku kërkohej paanshmëri në proces.
“Bëhet fjalë për mocionin e vitit 2024, për masat që janë marrë për garantimin e paanshmërisë së procesit gjyqësor”, ka thënë avokati i Veselit, Rodney Dixon, duke ngritur shqetësime për pyetjet e gjyqtarëve.
“Sot pyetjet nuk janë të paanshme, janë pyetje josqaruese, por janë pyetje që u përdoren si bazë nga gjykatësit për të dalë në përfundimet e tyre”, ka thënë mbrojtësi i Veselit.Pas fjalës së avokatit mbrojtës të Veselit, gjyqtari Charles L Smith, përgjigjet me tepër nervozizëm se do të vazhdohet me pyetjet siç ka ndodhur gjithmonë dhe ka bërë thirrje që të ftohet dëshmitari.
Pas kësaj, është parë edhe një reagim i Kadri Veselit, i cili është ngritur në këmbë dhe është konsultuar me dikë prej ekipit mbrojtës./express