Ramadani: Konfuzioni rreth rezultateve të zgjedhjeve dëmton sigurinë kombëtare
Foto: Laura Hasani

Ramadani: Konfuzioni rreth rezultateve të zgjedhjeve dëmton sigurinë kombëtare

Aktuale February 13, 2025 - 12:19

Ish-kryeinspektori i AKI-së, Burim Ramadani, ka thënë se konfuzioni rreth rezultateve të zgjedhjeve zbeh besimin publik dhe dëmton sigurinë kombëtare.

Në një shkrim në rrjetin social Facebook, ai ka thënë se siguria kombëtare dëmtohet kur zbehet besimi në proceset demokratike.

“Kosova ka arritur që të ndërtojë traditë të mirë të proceseve zgjedhore dhe efikasitetit të menaxhimit e administrimit të tyre. Madje, shpesh është cilësuar si shembull në Ballkanin Perëndimor për zgjedhje të lira, fer e demokratike dhe për efikasitetin në menaxhimin, administrimin dhe shpalljen e rezultateve zgjedhore. Për këtë, KQZ-ja ka marrë gjithnjë vlerësimet më të larta”, ka shkruar ai.

Ramadani shtroi edhe disa pyetje, duke thënë se çka ndodhi që KQZ-ja këtë herë është “thuajse jofunksionale”, pse po përhapet kaq shumë konfuzion e çështje të tjera.

“Por, çka ndodhi dhe pse ndodhi sivjet që KQZ të jetë pothuajse plotësisht jofunksionale në mbajtjen e traditës institucionale?

Çka po ndodh dhe pse KQZ-ja po përhap kaq tepër konfuzion?

Pse ky konfuzion rreth rezultateve rrezikon të zbeh besimin publik në procesin zgjedhor?

Kujt i konvenon kjo?

Kosovës jo se jo!”, shkroi ai.