PDK-ja mbledh Kryesinë, s’e hedhin poshtë mundësinë e koalicionit opozitar

PDK-ja mbledh Kryesinë, s’e hedhin poshtë mundësinë e koalicionit opozitar

Aktuale February 12, 2025 - 18:25

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e parë të Kryesisë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit, ku është vlerësuar pozitivisht fushata zgjedhore dhe është diskutuar për hapat e ardhshëm politikë të partisë.

Siç bëhet e ditur në njoftim, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, ka shprehur mirënjohje të thellë për angazhimin e jashtëzakonshëm të Kryesisë, kandidatit për kryeministër, Bedri Hamza, kandidatëve për deputetë, anëtarëve të partisë, strukturave dhe të gjithë mbështetësve që me punën dhe përkushtimin e tyre i kanë dhënë PDK-së rezultatin më të mirë ndër vite.

“Mbi 200 mijë qytetarë na kanë dhënë besimin e tyre, duke e konfirmuar Partinë Demokratike të Kosovës si forcë kryesore në skenën politike të vendit. Ky është një votëbesim i madh dhe një përgjegjësi që e marrim me seriozitet të plotë për të vazhduar misionin tonë për një Kosovë ma të mirë,” ka thënë kryetari Krasniqi.

Image

Në takim, kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka falënderuar kryetarin Krasniqi për mbështetjen e plotë gjatë gjithë fushatës, si dhe Kryesinë për përkushtimin dhe punën e palodhshme që ka sjellë këtë rezultat të rëndësishëm për PDK-në.

Image

Kryetari Krasniqi dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, kanë konfirmuar se çdo vendim politik i PDK-së do të merret me përgjegjësi nga organet drejtuese të partisë, duke u bazuar në interesin e qytetarëve dhe vizionin për një qeverisje të përgjegjshme dhe zhvillimore.

Image

Anëtarët e Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës kanë shprehur mbështetjen e plotë për qëndrimet dhe hapat e mëtejshëm politikë të partisë.

“PDK mbetet e përkushtuar në misionin e saj për të ndërtuar një Kosovë më të fortë, më të drejtë dhe me më shumë mundësi për të gjithë qytetarët e saj”, thuhet në njoftim. /Zëri

Image