Gjykata Kushtetuese i anulon ndryshimet e Kodit Penal, i jep afat Kuvendit t’i korrigjojë brenda gjashtë muajve
Foto: Laura Hasani

Gjykata Kushtetuese i anulon ndryshimet e Kodit Penal, i jep afat Kuvendit t’i korrigjojë brenda gjashtë muajve

Aktuale February 12, 2025 - 16:56

Gjykata Kushtetuese i ka kërkuar Kuvendit që në afat prej gjashtë muajsh të rishikojë ndryshimet e Kodit Penal në shtator të vitit 2023, me të cilat u amnistuan disa funksionarë.

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese Darko Kostadinovski, në konferencë për shtyp tha se në seancën e sotme është vendosur që Gjykata Kushtetuese t’i dërgojë Kuvendit një njoftim për dyshimet dhe konstatimet në këtë rast dhe t’i japë një afat maksimal prej gjashtë muajsh për korrigjimin e dispozitave ligjore të kontestuara.

“Gjykata, në këtë fazë të procedurës, shprehu dyshime se akti i kontestuar është në kundërshtim me vlerat themelore të rendit kushtetues, pra se është në kundërshtim me shtetin e së drejtës të rregulluar nga neni 8, pika 1, pika 3, si dhe se nuk është në përputhje me mbrojtjen e garantuar kushtetuese për barazinë e të gjithë qytetarëve para Kushtetutës dhe ligjit të nenit 2, paragrafit 2 të Kushtetutës dhe ligjeve”.

“Gjykata vlerëson se mund të vihen në dyshim si aspekti material ashtu edhe ai formal. Është e padiskutueshme që Kuvendi ka kompetencën për të rregulluar marrëdhëniet shoqërore, por në këtë rast Gjykata dyshon se ligjvënësi nuk ka marrë parasysh realitetin kushtetues e ligjor dhe pasojat që do të lindin pas miratimit të këtyre ndryshimeve ligjore, të cilat synojnë të shkaktojnë pabarazi në politikën penale për të gjithë qytetarët”.

“Gjykata Kushtetuese shpreh dyshime edhe për aspektin formal, gjegjësisht procedurën e miratimit të këtij ligji, për shkak të ndryshimeve në procedurë që përdor flamurin evropian edhe pse nuk ka ndonjë qëllim të justifikuar procedural për të. Sipas aktit të Gjykatës, nëse Kuvendi nuk vepron sipas udhëzimeve për ndërhyrjet ligjore, Gjykata Kushtetuese do të kalojë në fazën tjetër të procedimit, pra do të merret vendim përfundimtar, i cili mund të jetë i natyrës shfuqizuese ose anuluese, në varësi të vlerësimit të peshës së shkeljes”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Penale.

Gjithashtu theksohet se gjykata merr parasysh faktin se një vakum ligjor dhe pasoja të mundshme mund të lindin në mungesë të dispozitave penale të cilave do t’u referoheshin gjyqtarët në procedimin penal, nëse vendimi përfundimtar do të merret në fazën tjetër, pa informuar Kuvendin dhe pa kërkuar ndërhyrje, dhe pikërisht ky ishte çelësi për të vendosur që fillimisht t’i drejtohej Dhomës Legjislative, e cila është kompetente për të ndërhyrë në ligj. /telegrafi