
Lladrovci: Limaj mund t’ia kthejë shpinën Haradinajt dhe të bashkohet me Kurtin
Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, duke komentuar ecurinë e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt dhe rezultatet preliminare, ka thënë se nuk beson që PDK-ja do t’i bashkohet LVV-së për të formuar qeverinë, nëse ky subjekt nuk arrin ta formojë e vetme qeverinë.
“Unë nuk besoj që PDK-ja do ta luaj rolin e ‘hajvanit’ me shku me Albin Kurtin. Nëse shkojnë bin në vend fjalët e Albin Kurtit, ai nuk u ka thënë qytetarëve ‘hajvana’, por udhëheqësve të partive politike. Është e papranueshme kjo shprehje, mirëpo ai nuk i thotë fjalët pa i menduar mirë”, u shpreh i pari i Drenasit mbrëmë në Klan Kosova.
Lladrovci theksoi se në rast se Kurti nuk do t’i ketë numrat, do të jetë Fatmir Limaj ai i cili mund ta ndihmojë në këtë aspekt.
“Mund të ketë asi që iu kanë bashkëngjit Ramush Haradinaj dhe e kanë dëmtuar. Është Limaj bashkë me një grup të tij dhe kam frikë se do ta lënë në rrugë Ramush Haradinaj dhe t'i bashkohen Kurtit nëse i duhen numrat. Fatmir Limaj është mjeshtër i përftimit në grup. Ta zëmë nëse Nisma i ka marrë 25 mijë vota në nivel vendi ato vota asnjë se merr AAK i merr vetëm Nisma, dhe mund t’i ketë 4 deputetë dhe ata mund t’ia kthejnë shpinën Haradinajt kurdo”, tha Lladrovci.
“Kjo deklaratë është publike dhe nuk kam nevojë të shtoj as të heq gjë. Unë, kam dhënë opinionin tim, duke theksuar pikëpamjen për zhvillimet e ardhshme politike rreth mundësisë së krijimit të qeverisë së re. I qëndroj këtij opinioni, nëse do të më demantojë e ardhmja për këtë opinion, do të jetë më mirë”, ka thënë Lladrovci.
Kujtojmë se nga rezultatet preliminare të KQZ-së, LVV-ja renditet e para me 40.83%, PDK-ja e dyta me 22.15%, e treta LDK-ja me 17.59% dhe AAK-Nisma e katërta me 7.47%. /Telegrafi