KDTP-ja arrestimin e Fikrim Damkës e cilëson si provokim dhe tentativë për t’i njollosur zgjedhjet

KDTP-ja arrestimin e Fikrim Damkës e cilëson si provokim dhe tentativë për t’i njollosur zgjedhjet

Aktuale February 10, 2025 - 14:08

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), përmes një reagimi, ka shprehur mbështetjen për kryetarin e këtij subjekti politik, Fikrim Damka, pas ndalimit të tij nga organet e rendit për shkak të dyshimeve për sulm dhe kanosje.

Në komunikatën e KDTP-së arrestimi i Damkës është cilësuar si provokim nga disa qarqe që synojnë të njollosin procesin zgjedhor të 9 shkurtit për Kuvendin e Kosovës.

“Si partia më e vjetër e turqve të Kosovës, ne kemi mbrojtur gjithmonë të drejtat e komunitetit tonë dhe kemi qëndruar në krah të unitetit dhe kohezionit. Fatkeqësisht, arrestimi i kryetarit tonë të përgjithshëm dhe njëkohësisht Ministrit të turqve të Kosovës, z. Fikrim Damka, mbrëmë, na ka shkaktuar një trishtim dhe zhgënjim të madh. Ne besojmë se ky veprim është një provokim i disa qarqeve që synojnë ti njollosin zgjedhjet dhe shpallim me vendosmëri se do të qëndrojmë kundër kësaj padrejtësie”, thuhet në reagimin e KDTP-së.

Ky subjekt politik ka theksuar se qëndron krah kryetarit të partisë.

“Si Parti Demokratike Turke e Kosovës, me mbështetjen e popullit tonë, qëndrojmë krah Kryetarit tonë të Përgjithshëm dhe Ministrit të Zhvillimit Rajonal, z. Fikrim Damka. Do të vazhdojmë të mbrojmë të drejtat, ligjin dhe unitetin e turqve të Kosovës”, thuhet në reagim.

Një ditë më parë, Partia Turke e Lëvizjes Novatore (YTHP) publikisht pat akuzuar kryetarin e Partisë Demokratike Turke të Kosovës (KDTP), Fikrim Damka për sulm fizik ndaj një kandidateje për deputete nga radhët e YTHP-së.

Sipas kësaj partie rasti ka ndodhur në parkun në lagjen Kurrillë.

“Kryetari i përgjithshëm i KDTP-së, Fikrim Damka, ka sulmuar fizikisht kandidaten për deputete të YTHP-së, Arda Maloku, në Parkun e Dëshmorëve në Kurrillë. Përfaqësuesit e partisë sonë do të ndërmarrin menjëherë hapat ligjorë lidhur me këtë sulm, duke e denoncuar rastin në Drejtorinë e Policisë në Prizren dhe në Prokurorinë e Prizrenit, si dhe do të bëjnë kallëzim penal ndaj personit në fjalë”, thuhet në komunikatën e YTHP-së. Aty gjithashtu është shprehur mallkimi për “duart që ngrihen kundër grave”, thuhet në reagim.