![BE-ja mirëpret mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë](/uploads/zeri.info/images/2025/February/10/auto_1Veri_votim1739202960.jpg)
BE-ja mirëpret mbarëvajtjen e zgjedhjeve në Kosovë
Bashkimi Evropian ka përshëndetur faktin që zgjedhjet parlamentare në Kosovë u zhvilluan në një atmosferë të qetë, në të cilën qytetarët kanë pasur mundësi të shprehin vullnetin e tyre.
Kështu tha zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Anitta Hipper, kur u përgjigj në pyetjet lidhur me reagimin e bllokut për zgjedhjet në Kosovë dhe pritjet pas mbajtjes së tyre.
Hipperi tha se në Kosovë është vendosur misioni vëzhgues i BE-së për zgjedhjet që është formuar me vendimin e shefes së diplomacisë, Kaja Kallas.
Vendimi për dërgimin e këtij misioni për të vëzhguar zgjedhjet në Kosovë nga Hipperi u përmend si dëshmi se BE-ja i sheh raportet me Kosovën si shumë të rëndësishme, raporton REL-i.
Përveç vëzhguesve nga BE-ja, zgjedhjet u monitoruan edhe nga vëzhguesit vendorë, që thanë se ato kaluan pa incidente serioze, por me disa parregullsi.
Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje e Albin Kurtit po prin me 40,96 për qind, ose 316.016 vota të fituara në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Partia e dytë është Partia Demokratike e Kosovës me 22.42 për qind, ose 172.953 vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës me 17.62 për qind, ose 135.976 vota të fituara.
Koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma, Konservatorët dhe Intelektualët kanë fituar 7.56 për qind, ose 58.307 vota.
Ndërkaq, Lista Serbe – partia kryesore e serbëve të Kosovës që gëzon mbështetjen e Beogradit zyrtar – ka fituar 3.95 për qind, ose 30.440 vota.
Zgjedhjet e 9 shkurtit ishin zgjedhjet e para të rregullta që Kosova ka mbajtur që nga shpallja e pavarësisë.
Dalja ishte 40.59 për qind e mbi 1.9 milion votuesve me të drejtë vote në Kosovë. Paraprakisht, për këto zgjedhje kanë votuar edhe diaspora, përmes postës, por edhe fizikisht në disa përfaqësi diplomatike të Kosovës në botë.
Në garë ishin 28 subjekte politike dhe një kandidat i pavarur për përbërjen e re prej 120 ulësesh të Kuvendit të Kosovës, institucion që më pas do të zgjedhë ekzekutivin e ri.