Pas rezultatit aktual zgjedhor, Abdixhiku paralajmëron organizim të brendshëm partiak
Foto: Laura Hasani

Pas rezultatit aktual zgjedhor, Abdixhiku paralajmëron organizim të brendshëm partiak

Aktuale February 10, 2025 - 11:41

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dalë edhe me një falënderim për qytetarët pas rezultateve të zgjedhjeve të ditës së djeshme.

Sipas KQZ-së, në rezultatet preliminare që ka publikuar deri më tani, LDK-ja radhitet partia e tretë, por Abdixhiku thotë se partia që ai e udhëheq ka rritje, raporton Zeri.info.

Duke e parë këtë rezultat, Abdixhiku ka thënë se kjo rritje është e pamjaftueshme për LDK-në dhe në këtë mënyrë kjo i jep mundësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak.

“Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak - dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë - dhe për këtë ndjejë keqardhje”, ka shkruar Abdixhiku në profilin e tij zyrtar në rrjetin social Facebook, përcjell Zeri.info.

Reagimi i plotë i Abdixhikut, pa ndërhyrje:

Të gjithë votuesve tanë, ju faleminderit që mbështetët Lidhjen tonë. Të gjithë qytetarëve të Kosovës, ju faleminderit që nderuat demokracinë e atdheut tonë. Të gjithë veprimtarëve tanë ju faleminderit që punuat me kaq vullnet e me kaq emocion në këto zgjedhje. Asgjë mangut!

Punuam mbarë.

Ecëm drejt.

Ecëm si qytetarë me ëndrra të mëdha për këtë Republikë.

Shpresoj të ju kem prirë mbarë; shpresoj të ju kem përfaqësuar siç keni merituar gjithnjë!

E shoh me plot krenari rrugëtimin e bërë deri më tani. Nuk dijmë ndryshe, nuk duam ndryshe, nuk duhet ndryshe.

Rritja jonë i jep mundësi e qetësi organizimit më të mirë të brendshëm partiak - dhe për këtë do të qëndroj gjithmonë krenar; por kjo rritje është e pamjaftueshme për ndryshimin e Republikës në këtë fazë - dhe për këtë ndjejë keqardhje.

Pavarësisht të gjithave,

Do të ketë dritë!

Në këtë fazë, vazhdojmë me numërimin e votave të mbetura; sidomos ato në mërgatë. Pas numërimit përfundimtar, LDK-ja do të ofrojë qëndrimet e veta politike. /Zëri